KQZ numëron mbi 85% të votave me postë, përfundojnë 191 nga 223 kuti të votimit

16.06.2026

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht votimi përmes postës, për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Sipas të dhënave të përditësuara deri në orën 21:26, janë numëruar 191 nga 223 kuti votimi, që përbëjnë 85.65 për qind të totalit të kutive të sistemuara për këtë proces.Numërimi i votave me postë ka nisur më 12 qershor në orën 21:00 dhe po zhvillohet në disa tavolina numërimi në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Më herët, KQZ ka përmbyllur procesin e vlerësimit të 85,790 pakove të supozuara me fletëvotime, prej të cilave 82,809 janë aprovuar, ndërsa 2,981 janë refuzuar.Votimi përmes postës ishte i hapur nga 21 maji deri më 6 qershor 2026, ndërsa rreth 105 mijë shtetas të Kosovës ishin regjistruar për të votuar në këtë mënyrë.

Pakot me fletëvotime janë tërhequr nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme, si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë.