Reduktimet me rrymë do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim
KEDS përmes një njoftimi, ka bërë të ditur se reduktimet do të vazhdojnë deri sa të merren instruksione tjera nga KOSTT-i. “Duke qenë se kriza energjetike tashmë është thelluar në vendin tonë, dhe nga ana tjetër faktorë të tjerë, sikurse mbingarkesat e sistemit elektro-energjetik dhe trendi i rritjes së shpejtë të konsumit, kanë bërë që […]
Foto: Ilustrim
KEDS përmes një njoftimi, ka bërë të ditur se reduktimet do të vazhdojnë deri sa të merren instruksione tjera nga KOSTT-i.
“Duke qenë se kriza energjetike tashmë është thelluar në vendin tonë, dhe nga ana tjetër faktorë të tjerë, sikurse mbingarkesat e sistemit elektro-energjetik dhe trendi i rritjes së shpejtë të konsumit, kanë bërë që kufizimet e planifikuara me energji elektrike për të gjithë konsumatorët të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, deri sa të marrim instruksione tjera nga KOSTT”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, në njoftimin e kësaj kompanie është bërë e ditur se ndalesat do të vazhdojnë të jenë rreth dy orë, në periudha të ndryshme të ditës.
Ndërkaq, nga KEDS kanë thënë se dukuri që po pengon kyçjen me kohë të grupeve të caktuara, janë ngarkesat e mëdha që po shfaqen në dalje gjatë këtij procesi.
“Këto ndalesa sipas planit do të vazhdojnë të jenë rreth 2 orë për secilin grup të konsumatorëve, në periudha të ndryshme të ditës. Dukuri që po pengon kyçjen me kohë të grupeve të caktuara, janë ngarkesat e mëdha që po shfaqen në dalje gjatë këtij procesi.
Për të eliminuar këtë dukuri, kërkohet bashkëpunimi i të gjithëve. Konsumatorët të cilët janë pa energji elektrike, sipas planit të kufizimeve duhet që pajisjet elektrike mundësisht t’i kenë të shkyçura apo të larguara nga priza, në mënyrë që procesi i rikyçjes të secilës dalje të realizohet në mënyrë të suksesshme”, thuhet në njoftim.
KEDS-i ka bërë të ditur se qytetarët mund të informohen përmes llogarisë personale në eKesco, për orarin e reduktimeve.
“Informimi i konsumatorëve për këto kufizime të planifikuara është duke u bërë përmes aplikacionit eKesco (https://fatura.kesco-energy.com/auth/login), për konsumatorët të cilët kanë llogari të hapur në këtë aplikacion.
Po ashtu në ueb-faqe të KEDS, përmes hartës konsumatorët mund të shohin kufizimet e planifikuara që do të ndodhin në pikën matëse të saj/tij apo të lagjes ku jeton. Po ashtu, edhe mediat do të njoftohen për planin e kufizimeve, pasi këto plane t’i pranojmë nga KOSTT. Ftojmë konsumatorët të cilët nuk kanë llogari të hapur në aplikacionin eKesco, ta hapin atë, si dhe të përcjellin ueb-faqen e KEDS për t’u informuar për këto kufizime”, thuhet në njoftim.