Rastësi këtë vit akademik në Suharekë – Numër i njëjtë nxënësish në klasat e para dhe të dhjeta!

24.10.2025

Procesi mësimor në komunën e Suharekës vazhdon me një total prej 8.599 nxënësish aktivë, sipas të dhënave të Drejtorisë Komunale për Arsim (DKA).

Ky numër shënon një renie prej 212 nxënësish krahasuar me vitin e kaluar, duke ndjekur trendin e përgjithshëm të uljes së numrit të nxënësve në të gjitha shkollat e Kosovës.

Një fenomen i veçantë i këtij viti akademik është numri i njëjtë i nxënësve në klasat e para dhe të dhjeta, me nga 596 nxënës të regjistruar në secilën kategori. Kjo tregon një ekuilibër në hyrjet dhe daljet e nxënësve në ciklin fillor dhe të mesëm.

Nga 596 nxënës të regjistruar në shkollat e mesme, 270 nxënës kanë zgjedhur IAAP “Skender Luarasi” në Suharekë, 195 nxënës janë regjistruar në IAAP “Avdyl Rama”, ndërsa 131 nxënës vijojnë mësimin në Gjimnazin “Jeta e Re”.

Drejtori i DKA-së, Remzi Bajselmani, ka theksuar se, pavarësisht renies së numrit të nxënësve për arsye të ndryshme, krahasuar me vitet e kaluara, Suhareka ka arritur të krijojë një stabilitet të dukshëm në sistemin arsimor lokal. Për krahasim, gjatë vitit 2015, numri i nxënësve që largoheshin nga shkollat në komunë ishte mbi 500, duke treguar ndryshimin pozitiv që ka ndodhur gjatë dekadës së fundit.