Raportohet për një person të sjellë pa shenja jete në QKMF në Skenderaj

01.06.2025

Një person i moshës madhore është raportuar të jetë sjellë pa shenja jete në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Skenderaj në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë në rajonin e Mitrovicës së Jugut, Fexhrije Pllana.

“Sot me datën 01.06.2025 rreth orës 06:51 policia ka pranuar informatën nga Emergjenca në QKMF Skenderaj, se është sjellë një person moshe madhore pa shenja jete. Njësitë relevante kanë dalë në vendngjarje,” ka deklaruar Pllana.

Ajo më tej ka shtuar se, “Me urdhër të prokurorit kujdestar rasti është duke u hetuar si ‘Hetim i vdekjes’, dhe trupi i pajetë është dërguar për obduksion në IML (Institutin e Mjekësisë Ligjore).”

Detaje të tjera rreth identitetit të personit apo rrethanave që çuan në këtë ngjarje ende nuk janë bërë të ditura. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur të gjitha faktet lidhur me këtë rast.