Qeverisë i kërkohet hapja e bastoreve me ligj

07.11.2021

Lojërat e fatit në vendin tonë vazhdojnë të zhvillojnë aktivitetet e tyre në mënyrë ilegale, që nga koha kur Qeveria e Kosovës me në krye me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, kishte marrë vendim që me një projektligj të veçantë të ndalojë këtë veprimtari. Edhe pse brenda një viti lojërat e fatit kanë derdhur në buxhetin e […]

Qeverisë i kërkohet hapja e bastoreve me ligj Foto: Ilustrim

Lojërat e fatit në vendin tonë vazhdojnë të zhvillojnë aktivitetet e tyre në mënyrë ilegale, që nga koha kur Qeveria e Kosovës me në krye me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, kishte marrë vendim që me një projektligj të veçantë të ndalojë këtë veprimtari.

Edhe pse brenda një viti lojërat e fatit kanë derdhur në buxhetin e Kosovës mbi 20 milionë euro, tash e tri vite ato vazhdojnë të zhvillohen ilegalisht në vendin tonë dhe pa i paguar tatim shtetit.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike Kosovare, Safet Gërxhaliu, ka deklaruar se shfuqizimi i Ligjit për lojërat e fatit ka qenë për fat të keq një ‘eksperiment me ligje’.

“Në Kosovë kohëve të fundit është eksperimentuar me ligje të ndryshme dhe në këtë grumbull të eksperimentimit ka qenë edhe ligji për lojërat e fatit. Duhet të kuptohet se është një veprimtari për të cilën duhet sundimi i rendit dhe ligjit, duhet kontroll dhe mbi të gjitha duhet të ketë koordinim të duhur që vërtetë nga ky aktivitet të ketë përfitime”, ka thënë Gërxhaliu.

Tutje, ai ka thënë se është më mirë që të ketë Ligj për lojërat e fatit se sa këto veprimtari të mbesin ilegale.

“Është shumë e rrugës që të zyrtarizohet se sa të mbetet veprimtari ilegale, sepse aty ku nuk ka sundim të rendit dhe ligjit dhe kryhen lojëra të tilla të fatit, mundësitë për dukuri negative janë të shumta. Unë besoj se kjo çështje është me urgjencë dhe dua të besoj që Qeveria e Kosovës së shpejti do të dal me një propozim konkret në lidhje me këtë temë e cila me vite është duke u vonuar, e si pasojë po humb edhe buxheti por po rrezikohen edhe qytetarët dhe siguria”, ka thënë Gërxhaliu.

Në anën tjetër, Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka thënë se institucionet nuk kanë marrë asnjë veprim për të sistemuar qytetarët që kanë humbur vendin e punës kur është marrë vendimi për mbylljen e veprimtarive të lojërave të fatit.

“Nuk kemi ndonjë shifër të saktë për vendet e punës që janë humbur, ndërsa sa i përket sistemimit të punonjësve që kanë mbetur pa punë, kush ka pasur mundësi është sistemuar vetë sepse institucionet që i kanë shuar këto vende të punës nuk kanë marrë asnjë përgjegjësi për t’i sistemuar ata diku tjetër. Një pjesë e tyre është sistemuar ku ka pasur mundësi, ndërsa pjesa tjetër që kanë qenë më të moshuar kanë mbetur të pasistemuar dhe janë jashtë procesit të punës”, ka thënë Azemi për lajmi.net.

E sipas vlerësimeve të bëra menjëherë pas mbylljes së lojërave të fatit, rreth katër mijë kosovarë llogaritet se kanë mbetur pa punë si pasojë e këtij vendimi.

Lajmi.net ka pyetur edhe në Qeverinë e Kosovës në lidhje me atë se a ka ajo ndonjë plan për hartimin e ndonjë projektligji që do ta rregullonte dhe ri-legalizonte veprimtarinë e lojërave të fatit, mirëpo që e njëjta nuk është përgjigjur.

Kujtojmë se Policia e Kosovës vazhdimisht njofton për inicime penale ndaj personave që organizojnë veprimtari në fjalë.

Sidoqoftë, ndonëse ilegale, qytetarët thonë se operatorë të shumtë janë aktiv në formë ilegale dhe “online”, për t’i ikur ballafaqimit me ligjin që ua ndalon veprimtarinë.

Vlen të përmendet se Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim për mbylljen e lojërave të fatit pasi që në atë kohë ishin shpeshtuar incidentet në disa kazino, e disa prej të cilave kishin përfunduar edhe me vrasje.