Qeveria pret listat e pagave që t’i ‘dënojë’ grevistët, komunat nuk bashkëpunojnë

  • 01.09.2022
Qeveria pret listat e pagave që t’i ‘dënojë’ grevistët, komunat nuk bashkëpunojnë

Ende nuk dihet se kur do të ekzekutohen pagat për punëtorët e institucioneve publike, të cilët janë grevë që nga 25 gushti.

Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë ndonjë informacion. Kurse, zyrtarë në Thesarin e Kosovës thonë se janë në pritje të konfirmimit të listave të pagave.

Thesari i Kosovës është institucion që menaxhon dhe bën ekzekutimin e pagave.


Nysret Koca, zëvendësdrejtor i përgjithshëm për kontabilitet, raportim dhe monitorim në Thesarin e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se gjatë ditës (1 shtator) nuk ka pranuar ndonjë konfirmim të listave nga organizatat buxhetore për ekzekutim të pagave.


“Jemi në pritje. Më 31 gusht kemi pranuar konfirmimin e [disa] listave për paga dhe i kemi ekzekutuar”, tha ai.

Thesari i Kosovës për çdo muaj dërgon listat e pagave tek organizatat buxhetore për të konfirmuar ndonjë ndryshim eventual.

“Ky është një proces i rregullt mujor dhe në fund të muajit finalizohet lista pasi të jetë konfirmuar nga organizata buxhetore përmes sistemit të pagave”, deklaroi Koca për REL.

Nga fundi i muajit gusht, në grevë janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike nga rritja e çmimeve të konsumit. Ata kërkojnë 100 euro në muaj deri në miratimin e Projektligjit për paga.

Ekzekutivi, më 31 gusht ka bërë ekzekutim të pjesshëm të pagave për këtë muaj.

Pagat për muajin gusht janë ekzekutuar për punonjësit e Policisë së Kosovës, ata të sistemit të drejtësisë dhe të ministrive.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, më 31 gusht ka bërë të ditur se ekzekutimi i pjesshëm i pagave është bërë për shkak se nuk është përditësuar me kohë lista e personelit që ka punuar deri në fund të muajit.

Ndërkaq, dy ditë më herët, ai ka thënë se punëtorët e sektorit publik që janë në grevë, nuk do të marrin pagë të plotë nga Qeveria e Kosovës.

“Për 5 ditë pune i bie rreth 90 euro minus këtë muaj [në pagë]”, ka thënë Murati më 29 gusht, gjatë një konference për media.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se sindikalistët që janë në grevë nuk mund të paguhen “për punën që nuk e bëjnë”.

“Njerëzit duhet të paguhen për punën që e bëjnë sipas meritës. Kjo është, jo vetëm një çështje e ligjit, jo e Qeverisë, por është një çështje e arsyes së shëndoshë njerëzore. Secili prej nesh jemi punëtorë, nuk jemi pronarë, paguhemi për punën”, tha Kurti gjatë një ngjarjeje në Gjakovë, në ditën e përurimit të abetares së përbashkët Kosovë-Shqipëri.

Radio Evropa e Lirë ka dërguar pyetje në zyrën për informim të Qeverisë së Kosovës dhe në Ministrinë e Financave dhe ka pyetur se kur dhe si do të ekzekutohen mjetet për punëtorët që janë në grevë, por deri në publikimin e tekstit nuk kanë dhënë përgjigjeje.

Mosekzekutimi i pagave për punonjësit tjerë që janë në grevë, po konsiderohet joligjor dhe vendim që mund të radikalizojë formën e grevës.

Shërbyesit civilë në disa komuna të Kosovës i janë bashkuar grevës së organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

Komuna e Prishtinës dhe Malishevës janë disa nga komunat që janë në grevë.

Në këto komuna janë ofruar vetëm shërbimet emergjente, siç është lëshimi i ndonjë dokumenti për qytetarët që kanë caktuar termin për vizë në ndonjë ambasadë, si dhe në rast të ndonjë dokumenti që kërkohet për raste të sëmundjes.

Kryetarët e sindikatave të këtyre dy komunave, Ahmet Gashi nga Komuna e Prishtinës dhe Azem Gashi nga Komuna e Malishevës, treguan se pagat nuk kanë dalë në llogaritë e punëtorëve, madje as për punonjësit që kanë punuar në rastet emergjente.

Që të dy u shprehën se punonjësit janë të pakënaqur dhe kjo i ka revoltuar edhe më shumë ata.

“Jemi duke u konsultuar me Këshillin grevist të BSPK-së, të shikojmë se çfarë masash tjera do të ndërmarrim në lidhje me veprimin që ka marrë Qeveria”, tha Gashi nga Komuna e Prishtinës.

Pas vendimit të Qeverisë, punonjësit e Komunës së Malishevës, po kërkojnë që të “ndërpriten edhe rastet emergjente dhe të mbyllet komuna”.

Pagat nuk janë ekzekutuar as për mësimdhënësit, pavarësisht a janë në grevë apo jo. Mësimdhënësit e shkollës fillore ” Xhemail Mustafa” në Prishtinë janë në grevë dhe nuk i kanë marrë pagat.

Kurse, Shkolla e Mesme e Mjekësisë “Ali Sokoli” , në Prishtinë, e ka filluar vitin e ri shkollor duke zhvilluar mësimin në klasa, pasi mësimdhënësit e kësaj shkolle nuk i janë bashkuar grevës.

Pavarësisht kësaj, drejtori i kësaj shkolle, Flamur Bujupi, tha për Radion Evropa e Lirë, se më 31 gusht dhe 1 shtator, nuk janë ekzekutuar pagat e punëtorëve.

Pikërisht, për shkak të mosekzekutimit të pagave, më 1 shtator, Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë kundër ministrit të Financave, Hekuran Murati.

Për shkak të grevës, në Kosovë më 1 shtator nuk ka nisur viti i ri shkollor 2022/2023, pavarësisht se Ministria e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit ka deklaruar se janë bërë të gjitha përgatitjet për një gjë të tillë.

N'minuta
Suharekë, rruga e lagjes “Fan Noli” vërshohet nga mbeturinat, ankohen qytetarët
Suharekë, rruga e lagjes “Fan Noli” vërshohet nga mbeturinat, ankohen qytetarët
[FOTO] Vetura përplaset me ujkun në autostradën Prizren-Suharekë
[FOTO] Vetura përplaset me ujkun në autostradën Prizren-Suharekë
Disa të rinj kapen në video duke dëmtuar ulëset në “Shtigjet e Ecjes”, Muharremaj kërkon intervenimin e policisë
Disa të rinj kapen në video duke dëmtuar ulëset në “Shtigjet e Ecjes”, Muharremaj kërkon intervenimin e policisë
Ganimete Hoxha nga fshati Budakovë ka nevojë për ndihmën tuaj
Ganimete Hoxha nga fshati Budakovë ka nevojë për ndihmën tuaj
Suharekë, zjarrfikësit vazhdojnë të përballen me zjarre malore
Suharekë, zjarrfikësit vazhdojnë të përballen me zjarre malore
Ambient i pastër, “betonizohet” rruga në Zonën Industriale
Ambient i pastër, “betonizohet” rruga në Zonën Industriale
Zjarr mbi fshatin Sallagrazhdë
Zjarr mbi fshatin Sallagrazhdë
Kapen me marihuanë, arrestohen 4 të rinj në Suharekë
Kapen me marihuanë, arrestohen 4 të rinj në Suharekë
Aksident në autostradë në drejtimin Suharekë-Prizren, raportohet për të lënduar
Aksident në autostradë në drejtimin Suharekë-Prizren, raportohet për të lënduar
Aksident në autostradë në drejtimin Suharekë-Prizren, një person i lënduar rëndë
Aksident në autostradë në drejtimin Suharekë-Prizren, një person i lënduar rëndë