Qeveria ndan 100 mijë euro për mbrojtjen juridike të familjes së Enver Hadrit
Qeveria e Kosovës ka vendosur sot ndarjen e 100 mijë eurove për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes juridike dhe mbështetjen financiare për familjarët e veprimtarit të njohur Enver Hadri.
Ky vendim u miratua gjatë mbledhjes së qeverisë, ku Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dha detaje mbi rëndësinë e rastit.
Në fjalën e saj, Haxhiu bëri të ditur se në Belgjikë ka nisur procesi ndaj dy shtetasve serbë të akuzuar për vrasjen e Enver Hadrit dhe një të akuzuari tjetër, ish-pjesëtar i Inteligjencës Jugosllave, i cili dyshohet se ka dhënë urdhrin për vrasjen. Ministrja theksoi se ankesa e të akuzuarve është pranuar nga autoritetet belge, çka e bën të domosdoshme mbështetjen për familjen e veprimtarit.
“Dy të akuzuarit janë shtetas serb, të cilët akuzohen se në vitin 1990 në Belgjikë kanë kryer vrasjen, ndërsa i akuzuari i tretë akuzohet se ka urdhëruar vrasjen e tij. Ata ishin shpallur fajtor para tetë vitesh, dhe aktualisht po trajtohet ankesa e tyre. Ky rast ka rëndësi historike për vendin, prandaj kemi vendosur ta mbështesim familjen,” tha Haxhiu.
Enver Hadri, një veprimtar i njohur për të drejtat e shqiptarëve, u vra në Belgjikë gjatë vitit 1990. Pas shumë vitesh, drejtësia filloi të veprojë ndaj të akuzuarve për këtë akt. Ministrja Haxhiu e cilësoi rastin Hadri si një çështje me rëndësi historike për Kosovën dhe tha se mbështetja e familjes në këtë proces juridik është një angazhim moral dhe institucional.