Qeveria kundër tërheqjes së mjeteve nga Trusti

22.04.2022

Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për vazhdimin për tre vite të mandatit të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës. Qeveria ka dhënë mendimin për Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, që nuk e përkrahë këtë nismë legjislative të […]

Qeveria kundër tërheqjes së mjeteve nga Trusti Foto: Ilustrim

Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për vazhdimin për tre vite të mandatit të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.

Qeveria ka dhënë mendimin për Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, që nuk e përkrahë këtë nismë legjislative të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në komunikatë për media nga ekzekutivi kanë thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës është afër qytetarëve, për të ndihmuar përmes rishpërndarjes, rritjes së punësimit, rritjes së mbështetjes në skemat sociale, për fëmijët, gratë dhe të rinjtë, si dhe për fermerët e ndërmarrësinë e vogël e të mesme. Tërheqja e mjeteve nga Trusti nuk ndihmon kategoritë në nevojë, pasi që edhe vet përqindja e fondit pensional të tyre është e ulët. Me kursimin e pleqërisë nuk duhet abuzuar dhe veprimin e tillë, duhet konsideruar si të mangët.

Lidhur me nismën për Projektligjin për rregullimin e çmimit të produkteve medicinale, Qeveria e Republikës së Kosovës, tashmë e ka në agjendë legjislative këtë projektligj, rrjedhimisht nuk e konsideron të nevojshme iniciativën e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për këtë Projektligj.

Është miratuar vendimi për t’i kërkuar Presidentes së Republikës së Kosovës që të japë autorizimin për Ministren e Drejtësisë, për nënshkrim të Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës, për shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan, me qëllim të ekzekutimit të dënimeve për të burgosurit danez.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 02/50, si vijon: “ Udhëzimi Administrativ i MMPH-s Nr. 09/2015 për lejen për vendosjen në treg, regjistrim dhe leje të importit të produkteve biocide, mbetet në fuqi deri në krijimin e bazës së re ligjore. Ndryshim plotësim i Vendimit bëhet më qellim të mos krijimit të vakumit juridik”.