Qeveria finalizon skemën mbështetëse për prodhuesit vendorë përballë liberalizimit të energjisë
Qeveria e Kosovës po finalizon një skemë të re mbështetëse me synim ndihmën e prodhuesve vendorë për t’u përballur me liberalizimin e tregut të energjisë.
Kjo u bë e ditur gjatë Forumit “Liberalizimi i Tregut të Energjisë Elektrike: Efektet dhe Masat Lehtësuese”, pjesë e Platformës për Dialogun Publiko-Privat, ku morën pjesë Kryeministri Albin Kurti, Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, së bashku me përfaqësues të odave dhe bizneseve vendore.
Me mbështetjen e Agjencisë Luksemburgase për Bashkëpunim Zhvillimor (LuxDev), skema do të ofrojë mbështetje për prodhuesit vendorë në disa aspekte kyçe, përfshirë:
- Izolimin e ndërtesave,
- Sistemet solare fotovoltaike (FV) për prodhimin e energjisë,
- Sistemet solare termike për ngrohjen e ujit,
- Bateri për sistemet solare FV, si dhe
- Rregullatorë të fuqisë reaktive, të cilët ulin konsumin e energjisë reaktive dhe rrisin efiçiencën e pajisjeve ekzistuese.
Kjo mbështetje pritet të rezultojë në kosto më të ulët të energjisë, rritje të konkurrueshmërisë dhe më shumë siguri për çdo biznes që operon në Kosovë.
Gjatë forumit, u diskutuan edhe masa të tjera që Qeveria mund të ndërmarrë për të qenë pranë prodhuesve vendorë. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm publiko-privat për të identifikuar nevojat specifike të bizneseve dhe për të hartuar politika efektive.
Qeveria e Kosovës riafirmoi angazhimin e saj për të qenë një partner i afërt i sektorit privat, duke ofruar mbështetje në përballjen me sfidat dhe në nxitjen e rritjes së tij.