Punëtorët e KEK-ut kërkojnë rritje pagash në 1.100 euro
Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) kanë organizuar sot një protestë në Prishtinë, duke kërkuar rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës. Protestuesit kanë shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj menaxhmentit të KEK-ut, duke kundërshtuar deklaratat se pagat e punëtorëve janë ndër më të lartat në Kosovë.
Sipas tyre, paga bazë e punëtorëve është rreth 750 euro, ndërsa kërkesat shkojnë drejt një rritjeje në 1,000 deri në 1,100 euro, duke pasur parasysh përgjegjësitë e mëdha dhe rrezikun që bartin gjatë kryerjes së punës.
Punëtorët kanë theksuar se ekziston një pabarazi e theksuar mes pagave të menaxhmentit dhe atyre të punëtorëve, duke vënë në pah se drejtuesit e KEK-ut marrin paga mbi 4 mijë euro, ndërsa punëtorët përballen me kushte të vështira dhe pagesa që, sipas tyre, nuk janë dinjitoze.
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, ka kritikuar ashpër deklaratën e drejtorit të KEK-ut se punëtorët kanë paga mbi 1,200 euro. Ai ka theksuar se paga bazë është rreth 750 euro dhe ka kërkuar që paga mesatare të rritet në 1,100 euro, që sipas tij do të nënkuptonte një shtesë prej rreth 350 euro për secilin punëtor.
Llumnica ka paralajmëruar se, nëse kërkesat nuk merren parasysh, sindikata do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore, përfshirë ndërmjetësimin, e më pas nuk përjashtohet as greva si hap i fundit. Ai ka përmendur edhe shembullin e sindikatës së KOSTT-it, e cila pas disa muajsh arriti rritje të pagave.
Edhe Xhelal Jashari, kryetar i Shoqatës së Qymyrit, ka kritikuar pagat e ulëta të punëtorëve, duke i krahasuar ato me pagat e larta të menaxhmentit. Ai ka kërkuar që paga minimale të jetë 1,000 euro, duke theksuar se trajtimi aktual i punëtorëve është i padrejtë dhe i turpshëm.
Sipas Jasharit, nëse protestat kalojnë në grevë, kjo mund të sjellë pasoja, përfshirë edhe shkarkime, por ai ka theksuar se njëkohësisht greva do të sjellë edhe fitore për klasën punëtore. “Punëtorët që i dhanë dritë Kosovës nuk meritojnë të trajtohen si skllavë”, ka deklaruar ai.
Gjatë protestës, Llumnica i ka pyetur publikisht punëtorët për pagat e tyre aktuale, ndërsa shumica kanë deklaruar se marrin nën 800 euro. Ndërkohë, punëtori i KEK-ut Arif Midolli ka paralajmëruar se greva mbetet një opsion nëse kërkesat nuk plotësohen, duke shtuar se ajo nuk është e favorshme për askënd, por se punëtorët ndihen të pambrojtur nga menaxhmenti dhe pa mbështetje të mjaftueshme.
Punëtorët e KEK-ut kanë bërë thirrje që kërkesat e tyre të merren seriozisht, duke theksuar se synimi i tyre është trajtim i drejtë, paga dinjitoze dhe kushte më të mira pune./KP/