PSD mbetet jashtë Kuvendit, Molliqaj: Nuk e morëm rezultatin që prisnim, por nuk dorëzohemi
Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka reaguar pas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 7 qershorit, në të cilat subjekti i tij nuk arriti ta kalojë pragun zgjedhor.
Sipas të dhënave preliminare të KQZ-së, PSD ka siguruar rreth 1.883 vota në nivel vendi.Në një video-mesazh drejtuar qytetarëve, Molliqaj pranoi se rezultati nuk ishte ai që partia kishte pritur, por theksoi se angazhimi politik i PSD-së nuk varet vetëm nga numri i votave.
Ai tha se rezultati më shumë përfaqëson një refuzim të qytetarëve për ta votuar PSD-në sesa mungesë të mbështetjes për idetë që partia ka promovuar gjatë fushatës.
Molliqaj shtoi se para PSD-së qëndrojnë dy rrugë: dorëzimi ose vazhdimi i betejës politike. Sipas tij, partia ka zgjedhur të vazhdojë rrugëtimin dhe përpjekjet për t’i bindur qytetarët për programin dhe idetë e saj politike.
“Ky rrugëtim nuk ka nisur dje dhe nuk përfundon sot. Kosova ka nevojë për demokraci dhe ide politike, ndërsa ne do të vazhdojmë angazhimin tonë”, deklaroi Molliqaj.
