Presidentja, Vjosa Osmani viziton FC Dritën
FC Drita ka pritur sot një nga vizitat më të rëndësishme në historinë e klubit, atë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e shoqëruar nga Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.
Foto: Ilustrim
Vizita e tyre në ambientet e klubit bardhekaltër u cilësua si një moment i veçantë nderi dhe motivimi për të gjithë strukturën e FC Dritës, nga drejtuesit te lojtarët dhe tifozët.

Sipas njoftimit të klubit, prania e Presidentes Osmani përfaqëson një vlerësim të madh për kontributin e Dritës në sportin kosovar, në zhvillimin e komunitetit dhe përfshirjen e rinisë në aktivitete sportive.

Klubi thekson se kjo vizitë e nivelit të lartë institucional u jep edhe më shumë energji, përgjegjësi dhe motivim për të vazhduar punën drejt objektivave sportive dhe organizative.

Duke shprehur mirënjohje për këtë vizitë, FC Drita ka falënderuar Presidenten Osmani dhe Kryetarin Hyseni për mbështetjen dhe vlerësimin, duke theksuar se klubi do të vazhdojë të mbetet “shtëpia e vlerave dhe suksesit” për të gjithë tifozët bardhekaltër.