Kurti pas takimit me Osmanin e Abdixhikun: Synojmë marrëveshje, jo zgjedhje të reja
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se takimi me presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk ka përfunduar me një marrëveshje konkrete, por ka shprehur optimizëm për vazhdimin e bisedimeve.
Kurti tha se palët ende nuk kanë arritur në një konkluzion, ndërsa theksoi se synimi i tij është arritja e një marrëveshjeje politike dhe shmangia e zgjedhjeve të reja.
“Ende nuk kemi arritur një konkluzion. Jam optimist për rrugën përpara dhe besoj se racionaliteti po mbizotëron. Do të ketë edhe takime të tjera”, deklaroi Kurti pas përfundimit të takimit.
Ai bëri të ditur se diskutimet janë fokusuar në funksionimin e institucioneve kryesore të vendit, përfshirë Qeverinë, Kuvendin dhe Presidencën.
“Jam i interesuar për marrëveshje dhe jo të kemi zgjedhje. Duhet t’i evitojmë zgjedhjet e reja”, u shpreh kryeministri në detyrë.
Kurti shtoi se procesi do të jetë transparent për qytetarët dhe se bisedimet do të vazhdojnë në ditët në vijim.
