Presidentja Osmani takon përfaqësuesin e BE-së, Peter Sorensen: kërkon heqjen e masave të padrejta ndaj Kosovës

06.08.2025

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen.

Në fokus të bisedës ishin integrimi evropian i Kosovës, masat ndëshkuese të BE-së, zhvillimet institucionale dhe procesi i dialogut me Serbinë.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani theksoi domosdoshmërinë e avancimit të integrimit evropian të Kosovës, duke kërkuar largimin e masave të cilësuara si të padrejta, të cilat po ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve të Kosovës.

Në kuadër të diskutimit u trajtua edhe procesi i konstituimit të Kuvendit dhe institucioneve të tjera, ku Osmani theksoi rëndësinë që ato të funksionojnë në mënyrë demokratike dhe stabile, për të mundësuar avancimin e objektivave të përbashkëta.

Presidentja ngriti shqetësimin për arrestimet arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe, duke kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të reagojë dhe të ndërmarrë hapa për të ndalur këto veprime të paligjshme.

Ajo theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj rrugës së saj evropiane dhe reformave demokratike, të cilat, sipas saj, duhet të shpërblehen me hapa konkret nga Bashkimi Evropian.

Presidentja Osmani gjithashtu nënvizoi rëndësinë e integrimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë në Këshillin e Evropës, si dhe në organizata të tjera me rëndësi strategjike.

Sa i përket dialogut Kosovë–Serbi, Osmani kërkoi që ky proces të jetë i drejtë, i paanshëm dhe i bazuar në parime, duke përcaktuar objektiva të qarta që do të kontribuonin në paqen, stabilitetin dhe perspektivën evropiane të të gjithë rajonit.

Në fund, Presidentja Osmani e falënderoi z. Sørensen për angazhimin e tij në promovimin e një dialogu parimor dhe të barabartë mes palëve.