Presidentja Osmani pret Ambasadorin gjerman, diskutohet situata politike dhe bashkëpunimi bilateral
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.
Në qendër të diskutimeve ishin zhvillimet më të fundit politike në vend, me theks të veçantë te procesi i konstituimit të institucioneve të reja. Presidentja dhe ambasadori trajtuan edhe ndikimet që sjell vonesa në formimin e institucioneve për procese të tjera të rëndësishme për vendin.
Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, duke diskutuar për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, në dritën e një qeverie të re në Berlin dhe interesave të përbashkëta ndërmjet dy vendeve.
Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë Kosovës dhe theksoi përkushtimin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral në shërbim të qytetarëve të të dyja vendeve.