Presidentja Osmani: 5 marsi kthesë historike në përpjekjet për liri

05.03.2022

Këtë Osmani e ka thënë në Kazermën “Adem Jashari”, me rastin e 24 vjetorit të Epopesë së UÇK-së. Osmani kujtoi 5, 6 dhe 7 marsin e vitit 1998, duke thënë se familja Jashari është simbol i rezistencës dhe pjesë e pashlyeshme e historisë. “Rrethime të tilla kjo familje kishte përjetuar më 31 janar 1991, më […]

Presidentja Osmani: 5 marsi kthesë historike në përpjekjet për liri Foto: Ilustrim

Këtë Osmani e ka thënë në Kazermën “Adem Jashari”, me rastin e 24 vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

Osmani kujtoi 5, 6 dhe 7 marsin e vitit 1998, duke thënë se familja Jashari është simbol i rezistencës dhe pjesë e pashlyeshme e historisë.

“Rrethime të tilla kjo familje kishte përjetuar më 31 janar 1991, më 22 janar 1998 dhe së fundi më 5, 6 dhe 7 mars 1998. Në të tri rrethimet, rezistenca e familjes Jashari në krye me bacën Shaban, Hamzën dhe komandantin legjendar Adem Jasharin, nuk ishte përpjekje për mbrojtjen vetëm të pragut të shtëpisë së tyre.

Ata, bashkë u vunë në mbrojtje të pragut të Kosovës,  shtëpisë së tyre për të cilën u flijuan. Në tri ditët e Epopesë, ata u heroizuan dhe të tillë do të mbeten për sa të jetë Kosova” ka thënë presidentja Osmani.

Presidentja iu drejtua edhe ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke u thënë se barra e sigurisë së qytetarëve të Kosovës është mbi supet e tyre.

“Përveç frymëzimit që jep ky emër për secilin ushtar tonin, i ngarkon ata edhe me përgjegjësi për atdheun në kohën kur paqja po bëhet gjithnjë e më sfiduese… Sot, mbi ju bie barra e sigurisë për popullin dhe shtetin tonë.

Unë besoj fuqishëm se ju jeni gardianët tanë dhe gardianë të çdo cepi të Kosovës. Lufta jonë çlirimtare bashkë me aleatët tanë e bëri lirinë tonë, ju të nderuar ushtarë do ta mirëmbani lirinë tonë” shtoi presidentja Osmani.

Ajo përmendi në fund edhe synimin e anëtarësimit në NATO, në të cilin beson fuqishëm dhe e sheh më të domosdoshëm se kurrë më parë.