Policia përkujton 14-vjetorin e rënies së Heroit Enver Zymeri dhe Ditën Memoriale të zyrtarëve të rënë në detyrë

26.07.2025

Nën përkujdesjen e ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, u organizuan sot një sërë aktivitetesh për nder të 14-vjetorit të rënies së Heroit Enver Zymberi dhe Ditës Memoriale të zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës.

Aktivitetet përkujtimore nisën në orët e hershme të mëngjesit me vizitën në familjen e zyrtarit policor Muhamed Lika në Kaçanik. Në këtë takim morën pjesë drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, dhe menaxhmenti i lartë i Policisë së Kosovës.

Në orën 09:00, u mbajtën homazhe shtetërore tek Lapidari i Policëve të rënë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Prishtinë, ku morën pjesë personalitete të larta shtetërore, të cilët nderuan sakrificën dhe kontributin e policëve që kanë dhënë jetën në krye të detyrës.

Më pas, homazhet vazhduan në Samadrexhë të Vushtrrisë, fillimisht te varri i Heroit Afrim Bunjaku në orën 10:00 dhe më pas, në orën 10:15, me vizitë në familjen e tij.

Në orën 10:45, personalitetet e larta shtetërore bënë homazhe në varrin e Heroit Enver Zymberi në Dubovc të Vushtrrisë, ndërsa në orën 11:30 vizituan edhe familjen e tij për të shprehur respektin dhe mirënjohjen institucionale për sakrificën e tij.

Aktivitetet përkujtimore kulmuan në orën 12:30 me homazhe në lapidarin në vendin e rënies së Heroit Enver Zymberi në Varage, Zubin Potok, ku gjithashtu morën pjesë përfaqësues të lartë shtetërorë.

Për të nderuar më tej kujtimin e heronjve, janë organizuar edhe aktivitete sportive simbolike, përfshirë ecje, çiklizëm, vozitje me motorë dhe gara me kajak, me marshruta që lidhin jugun dhe veriun e Kosovës, duke kaluar përmes vendit të rënies së Heroit Enver Zymberi.

Dita përmbyllet me ceremoninë e pritjes së marshuesve në orën 17:00 në Qendrën për trajnim për kërkim-shpëtim “Berim” në Zubin Potok – Ujman.

Këto aktivitete përkujtojnë jo vetëm rënien e Heroit Enver Zymberi, por edhe përkushtimin dhe sakrificën e të gjithë zyrtarëve policorë që kanë dhënë jetën në shërbim të rendit, ligjit dhe sigurisë së qytetarëve të Republikës së Kosovës.