Policia e Kosovës në veri të Mitrovicës merr zyra të reja në ndërtesën e Trepçës, i shtohen edhe 117 policë
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, vizituan të shtunën objektin e ri të Policisë së Kosovës në veri të vendit, që do të jetë pjesë e ndërtesës së Trepçës.
Zyrtarët policorë të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicë të Veriut tashmë do të shfrytëzojnë një pjesë të ndërtesës së Trepçës.
Brenda këtij objekti pritet të vendosen shefi i hetimeve, trafiku rajonal dhe operativa.
Zëvendësdrejtori i policisë për veriun, Veton Elshani, tha se kjo hapësirë iu mundëson ofrim të shërbimeve më profesionale.
“Kjo ndikon në ofrimin e shërbimeve më kualitative ndaj qytetarëve të vendit për arsye se ne kemi më shumë hapësirë edhe më shumë kualitet. I përmbush kapacitetet e veta aq sa i ka kjo pjesë e ndërtesës tash e shohim më vonë a kemi nevojë edhe për njerëz të tjerë pasnesër do t’i kemi edhe 117 pjesëtarë të ri të policisë. Është shtuar numri i policëve”, tha ai për tëvë1.
Punimet tashmë kanë filluar në aspektin e shpërndarjes së rrjetit, vendosjes së kamerave të sigurisë dhe disa pjesë teknike.