Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë me patrullime të përbashkëta për sezonin turistik 2026

02.06.2026

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, po zhvillon një vizitë zyrtare në Policinë e Shtetit të Shqipërisë, ku është pritur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dhe drejtues të tjerë të lartë policorë.

Gjatë takimit, palët nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për organizimin e shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor, me synim rritjen e sigurisë në komunikacion dhe menaxhimin sa më efikas të fluksit të qytetarëve gjatë sezonit turistik 2026.

Në kuadër të vizitës, delegacioni i Policisë së Kosovës vizitoi edhe Akademinë e Sigurisë së Policisë së Shqipërisë, ku u zhvilluan takime me drejtuesit e institucionit për thellimin e bashkëpunimit në fushën e trajnimeve profesionale.

Po ashtu, drejtori Hoxha mbajti një ligjëratë para studentëve të Akademisë, ku prezantoi punën, arritjet dhe objektivat strategjike të Policisë së Kosovës, duke u ndalur edhe te menaxhimi profesional i situatës gjatë sulmit terrorist në Banjska.

Në përfundim të vizitës, drejtuesit e dy policive riafirmuan gatishmërinë për të forcuar bashkëpunimin dhe koordinimin në të gjitha fushat me interes të përbashkët policor.