Peter Sorensen merr frenat e dialogut Kosovë-Serbi, sfidat mbesin të njëjta

01.02.2025

Nga sot, diplomati danez Peter Sorensen ka marrë zyrtarisht detyrën e të parit të dialogut Kosovë-Serbi, duke pasuar Miroslav Lajçakun, i cili e quajti misionin e tij “sfidues”.

Ndryshe nga paraardhësi i tij, Sorensen do të fokusohet vetëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke lënë jashtë çështjet e tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor. Prioriteti i tij kryesor do të jetë zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, një detyrë që ka ngecur prej kohësh.

Lajçak i uroi pasardhësit të tij durim dhe këmbëngulje, duke theksuar se suksesi në të kaluarën u arrit falë mosdorëzimit. Ai shprehu shpresën se Sorensen do të ketë sukses në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Këshilli i Bashkimit Europian, në njoftimin e tij zyrtar për emërimin e Sorensenit, theksoi se detyra e tij do të jetë normalizimi i marrëdhënieve mes dy fqinjëve, me fokus të veçantë në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe aneksit të saj.

Sorensen merr detyrën me një mandat fillestar prej 13 muajsh, por ai dhe shefja e tij, kryediplomatja Kaja Kallas, do të duhet të presin për fillimin e punës për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë dhe protestave në Serbi.

Këshilli e përshkroi Sorensen si një diplomat me përvojë të gjerë, përfshirë edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai ka shërbyer si Përfaqësues Special i BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë, ambasador dhe shef i delegacionit të BE-së në Shkup dhe Gjenevë.

Sorensen do të ketë një barrë të rëndë për të nxitur palët në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, marrë parasysh sfidat e shumta që kanë shoqëruar dialogun Kosovë-Serbi që nga viti 2011. Marrëveshja e Ohrit, e cila u shpall me entuziazëm si një hap i madh drejt normalizimit të marrëdhënieve, ka ngecur në zbatim, duke shkaktuar zhgënjim nga Bashkimi Europian.

Takimet e fundit në Bruksel mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq ishin kryesisht njoftuese dhe nuk ishin në kuadër të dialogut. BE-ja ka bërë thirrje të vazhdueshme për t’i lënë anash krizat dhe për t’u fokusuar në zbatimin e marrëveshjes.

Pavarësisht sfidave, Sorensen ka përvojën dhe mbështetjen e BE-së për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë të ecin përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve.