Peter Sorensen, diplomati me përvojë në Ballkan, merr drejtimin e dialogut Kosovë-Serbi

28.01.2025

Diplomati danez, Peter Sorensen, është emëruar zyrtarisht si Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi. Kjo ndodh pas pëlqimit të plotë nga ministrat e Jashtëm të BE-së dhe do të marrë detyrën më 1 shkurt 2025.

Sorensen, me një karrierë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së, sidomos në Ballkanin Perëndimor, sjell me vete një përvojë të thellë në marrëdhëniet ndëretnike dhe në proceset e negociatave komplekse. Ai zëvendëson Miroslav Lajçak, i cili ka qenë në qendër të kritikave për njëanshëmri në dialog.

Me emërimin e Sorensen, BE-ja shpreh qartë vendosmërinë e saj për të intensifikuar procesin e dialogut dhe për të arritur një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur shpresën se me emisarin e ri do të ketë një dinamikë të re në dialog dhe një rikthim i besimit të palëve në proces.

Detyrat e Sorensen përfshijnë lehtësimin e procesit të dialogut, i cili do të kontribuojë në zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe aneksit të saj, të miratuar në fillim të vitit 2023. Përvoja e tij e gjatë në rajon, duke përfshirë shërbimin si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnje e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë, e bën atë një figurë kyçe për të ndërmjetësuar në këtë çështje delikate.

Sorensen ka një karrierë të gjatë në Ballkan. Përveç detyrave të mësipërme, ai ka shërbyer edhe si shef i delegacionit të BE-së në Shkup, ka punuar në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) dhe ka qenë përfaqësues i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi. Kjo përvojë e gjatë në rajon është konsideruar si një nga arsyet kryesore për zgjedhjen e tij si pasardhës i Lajçakut.