Për pesë muaj, ATK-ja mblodhi rreth 243 milionë euro

14.06.2021

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) gjatë pesë muajve të vitit 2021, ka arritur që të mbledhë rreth 243 milionë euro. Duke krahasur me periudhën e njëjtë kohore të vitit të kaluar bëhet e ditur se rreth 57 milionë euro ka të hyra më shumë. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur drejtori i […]

Për pesë muaj, ATK-ja mblodhi rreth 243 milionë euro Foto: Ilustrim

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) gjatë pesë muajve të vitit 2021, ka arritur që të mbledhë rreth 243 milionë euro.

Duke krahasur me periudhën e njëjtë kohore të vitit të kaluar bëhet e ditur se rreth 57 milionë euro ka të hyra më shumë.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj.

Poashtu Murtezaj për EkonomiaOnline ka theksuar se janë rreth 24 milionë euro më tepër të grumbulluara se sa që është planifikuar për këtë periudhë kohore.

“Gjatë kësaj periudhe pesë mujore të këtij viti mund të themi që kemi një rikthim të normalitetit të pagesës së tatimeve ku performanca e deritanishme tregon se jemi në një trend jashtëzakonisht të mirë duke arritur që të inkasojmë rreth 243 milionë euro, shumë kjo e cila nëse krahasohet më periudhën e njëjtë të vitit të kaluar rezulton që kemi rreth 57 milionë euro të hyra të grumbulluara më tepër. Kurse nëse e krahasojmë me planin kemi rreth 24 milionë euro të hyra të grumbulluara më tepër sesa plani për këtë periudhë që është paraparë me buxhetin e vitit”, është shprehur ai.

Po ashtu drejtori i ATK-së, ka njoftuar se kjo periudhë kohore karakterizohet edhe me rritje prej 27 për qind të qarkullimit, që kap vlerën e 822 milionë eurove.

Në anën tjetër Murtezaj, ka treguar se bizneset për shkak të pandemisë kanë akoma vështirësi në kryerjen e obligimeve ndaj ATK-së, por që ky institucion brenda mundësive ligjore i ka mirëkuptuar ato.

Sipas tij edhe pse bizneset kanë pasur mundësi për kryerjen e obligimeve përmes vendimit për faljen e ndëshkimeve të borxheve një gjë të tillë pak prej tyre e kanë bërë.

Prandaj ai ka paralajmëruar se pas datës 30 qershor nisin masat e parapara me ligj ndaj bizneseve si: bllokimi i llogarive bankare, bllokimi në doganë, thesar e deri te konfiskimi i pasurisë apo edhe dërgimi i lëndëve në gjykatë me ngritje të kallëzimeve penale.