Pensionistët paralajmërojnë greva e protesta për shtesat

24.04.2021

Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi, ka bërë kërkesë me shkrim për takim me kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati. Kajtazi ka sqaruar se kanë kërkuar takim urgjent me të dy pas vendimit të Qeverisë për mosvazhdimin e dhënies së shtesave për këtë kategori. Ai këtë vendim […]

Pensionistët paralajmërojnë greva e protesta për shtesat Foto: Ilustrim

Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi, ka bërë kërkesë me shkrim për takim me kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Kajtazi ka sqaruar se kanë kërkuar takim urgjent me të dy pas vendimit të Qeverisë për mosvazhdimin e dhënies së shtesave për këtë kategori.

Ai këtë vendim të Qeverisë e ka quajtur të papritur. Sipas tij, që më shumë se 20 vjet ata janë anashkaluar dhe nënçmuar nga institucionet.

Ai ka shtuar se nëse vazhdohet ky trend nuk u mbetet gjë tjetër vetëm të marrin masa për grevë dhe protesta.

“Ky vendim ka qenë i papritur për faktin se në Kosovë janë 180 mijë pensionistë prej tyre janë 140 mijë pensionistë bazik që marrin pension social. Kështu që ky vendim ka ndikuar shumë në disponimin e tyre edhe ata mbesin të zhgënjyer me këtë vendim. Ndoshta qeveria ka menduar që për një kohë të gjatë me ngrit ne 10 euro. 10 euro nuk është kurrfarë vlere te pensionistët bazik për shkak se i kanë 90 euro shtohet edhe 10 euro ajo nuk është bazë për jetën e tyre” ka thënë ai për EkonomiaOnline.

Kujtojmë se në bazë të vendimit të fundit nga Qeveria e Kosovës pensionistët do të marrin mjete shtesë deri në fund të vitit në shumën prej 10 eurosh, shkruan SuharekaOnline.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati përmes një shkrimi në facebook ka thënë se këto shtesa prej 10 euro do të vazhdojnë për tërë vitin.

“Krejt çka do të merrnin pensionistët pa vendimin e djeshëm të qeverisë, do të ishte shuma prej 75 ose 90 eurove, ashtu siç është e planifikuar në buxhetin e vitit 2021, të miratur në Kuvend. Ministria e Finacave, Punës dhe Transfereve, ka paraparë që për kategoritë e skemave pensionale që marrin nën 100 euro – e këtu ka kategori me 75 euro dhe me 90 euro – të aplikohet një shtesë, asisoj që shuma totale e pensionit me gjithë shtesën të jetë 100 euro. Këto shtesa do të vazhdojnë përgjatë tërë vitit, njësoj sikurse mbështetja për përfituesit e asistencës sociale”, ka shkruar Murati.

Lidhur me këtë janë shkaktuar reagime të shumta nga opozita, madje gjatë ditës së sotme, e shtunë, Shefi i grupit Pralamentar të Aleancës për Ardhmërin e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se Qeveria Kurti, iu ka bërë një padrejtësi të madhe pensionistëve, duke ua ulur shtesat.

Tahiri tutje ka treguar se Aleanca e ka ftuar në interpelancë Ministrin e Financave, Hekuran Murati për të dhënë llogari për këtë vendim.

‘Javën e kaluar ishim dëshmitarë të një padrejtësie që iu bë pensionistëve nga Qeveria e Kosovës. Nuk mjaftoi paaftësia për t’i siguruar vaksinat për ta, ku kjo kategori shoqërore janë kategoria më e rrezikuar nga Covid-19. Për ta rënduar edhe më tej gjendjen e tyre, tani edhe në aspektin financiar përveç atij shëndetësor, kjo qeveri paturpësisht vendosi që t’i ulë shtesat e pensioneve për ta për 1/3 nga shtesa e merituar nga qeveria e kaluar. Ky vendim e dëmton tej mase gjendjen e pensionistëve, që njihet si kategoria me gjendjen më të rëndë sociale. Të shtyrë nga gjendja e tyre e rëndë, por dhe nga bisedat me ta ku ndihen të mashtruar dhe të zhgënjyer me këtë qeveri, Grupi Parlamentar i AAK-së do ta ftojë në interpelancë në Kuvendin e Kosovës Ministrin e Financave Hekuran Murati për të dhënë llogari për këtë vendim zhgënjyes. Përveç që është jonjerëzore, është mashtrim që të marrësh vota me premtime për rritje të pensioneve, e t’i ulësh ato që në ditët e para të qeverisjes’, ka shkruar Tahiri.