PDK: Dimri po vjen, edhe me terr edhe me tarifa të larta
Sekretari për Marrëdhënie Ndërkombëtare i Partisë Demokratike të Kosovës, Bernard Nikaj, në një konferencë për media ka kërkuar përgjegjësi e llogaridhënie nga Qeveria Kurti për paaftësi të menaxhimit të krizës energjetike, e cila ka ndikuar që nga sot qytetarët e Kosovës të përballen me reduktime të energjisë. Nikaj tha se kjo situatë 6 orë me […]
Sekretari për Marrëdhënie Ndërkombëtare i Partisë Demokratike të Kosovës, Bernard Nikaj, në një konferencë për media ka kërkuar përgjegjësi e llogaridhënie nga Qeveria Kurti për paaftësi të menaxhimit të krizës energjetike, e cila ka ndikuar që nga sot qytetarët e Kosovës të përballen me reduktime të energjisë.
Nikaj tha se kjo situatë 6 orë me rrymë dhe 2 pa rrymë në mes të gushtit është dështim kapital i logjikës rrugë pa krye të Albin Kurtit, që ka imponuar edhe çmim më të lartë për rrymë edhe kemi reduktime.
“Fatkeqësisht, në një vend me qeverisje të paaftë, depresive e të papërgjegjshme, sic është qeveria e Albin Kurtit, kjo është asgjë më pak sesa manifestim i keqmenaxhimit, i cili për faktin që po ndodhë tash kur nuk është dashur as të paramendohej, rrezikon të bëhet normë, atëherë kur edhe mund të presim përkeqësim të situatës me furnizim të energjisë elektrike gjatë dimrit”, tha ai.
Sipas Nikajt, terri me të cilin po shërbehen qytetarët e Kosovës sot, është produkt i një dështimi sistematik e kardinal disa mujor të menaxhimit të KEK-ut nga ana e Qeverisë, përkundër që secili qytetar i Kosovës po cenohet nga përditshmëria e tij për shkak të reduktimeve.
“Koorporata Energjetike e Kosovës është po e njëjta Koorporatë, e cila veçmas në muajt e verës, me kapacitetet e veta prodhuese arrinë të mbulojë nevojën e konsumit të energjisë, pa pasur nevojë për reduktime. Megjithatë, ja që me 15 gusht të 2022-tës, në mes të verës, qytetarët e Kosovës janë në terr. Prandaj, përgjegjës për këtë situatë, nuk janë punëtorët e KEK-ut.
Përgjegjës për këtë situatë, është një faktor tjetër dhe ajo është qeveria e Kosovës, e cila me qasjen ndaj menaxhimit të KEK-ut, me qasje pa plan, pa guxim dhe pa ide se si me menaxhu sektorin energjetik, e ka pru punën që ta ringjallë nga harresa kolektive, doktrinën e reduktimit të energjisë elektrike”, theksoi Nikaj.
Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të pafalshme që qytetarët e Kosovës të mësojnë në mbrëmje se të nesermën nuk do të ketë energji elektrike dhe që në kushtet optimale të prodhimit të energjisë elektrike të ketë reduktime.
“Edhe vjeshtën e vitit të kaluar, në vazhdimësi kemi paralajmëruar për sfidat e furnizimit me energji gjatë dimrit. Këto paralajmërime ranë në veshë të shurdhër të qeverisë aktuale e cila nuk ndërmorri asgjë por thjeshtë, e injoroi situatën. Edhe këtë vit, ka më shumë se dy muaj që kemi paralajmëruar thellimin e krizës energjetike dhe kemi rekomanduar se cfarë veprime duhet të ndërmirren.
Përsëri, Qeveria s’ka bërë asgjë, përvec që së voni ka filluar ta konfirmoj atë që e kemi thënë ne më herët – se ky dimër do të jetë edhe më i rëndë se dimri i kaluar. Edhe sot na duhet ta theksojmë se dimri po vjen dhe nëse vera po përmbyllet me terr, atëherë dimri do të na gjejë me terr, por edhe pa ngrohje dhe me çmime të larta. Dhe fajin për këtë krizë e ka vetëm Qeveria”, tha Nikaj.