Prezantohen masat për subvencionimin e energjisë, pajisjet dhe kategoritë që do të përkrahen

06.10.2022

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli përmes një konference për media, ka bërë prezantimin e masave për subvencionim të efiçientës së energjisë për qytetarët e vendit tonë. E para e Ministrisë së Ekonomisë ka deklaruar se kaldajat me djegie me biomasë, drutë, peleti dhe briketi do të përkrahet në një masë prej 70 për qind. Ministrja […]

Prezantohen masat për subvencionimin e energjisë, pajisjet dhe kategoritë që do të përkrahen Foto: Ilustrim

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli përmes një konference për media, ka bërë prezantimin e masave për subvencionim të efiçientës së energjisë për qytetarët e vendit tonë.

E para e Ministrisë së Ekonomisë ka deklaruar se kaldajat me djegie me biomasë, drutë, peleti dhe briketi do të përkrahet në një masë prej 70 për qind.

Ministrja Rizvanolli ka bërë të ditur se nga sot kanë hapur thirrjen për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje për qytetarë në vlerë prej 6 milionë euro.

“Nga sot kemi hapur thirrjen për subvencionim të pajisjeve eficiente për ngrohje për qytetarë në vlerë prej 6 milionë euro. Pajisjet që do të subvencionohen si kaldajat me djegie me biomasë, dru, pelet dhe briket që do të përkrahet në masë prej 70 për qind të vlerës së investimit ose në vlerë prej 1,200 euro”, tha Rizvanolli.

Gjithashtu, ministrja Rizvanolli ka theksuar se disa nga pajisjet që do të përkrahen janë edhe pompat termike, kondicionerët si dhe stufat.

Ajo shtoi se kondicionerët efiçientë do të subvencionohen me 40 për qind të vlerës ose deri në 400 euro dhe stufat me biomasë e dru, për familjet që janë pjesë e skemës së asistencës sociale do të përkrahen me 90 për qind deri më 560 euro kurse për të tjerët deri në 435 euro

“Pompat termike të cilat ulin shpenzimin deri në 70 për qind, do të subvencionohen në vlerë prej 30 për qind apo në vlerë 2,500 euro, kondicionerët eficientë do të subvencionohen me 40 për qind të vlerës ose deri në 400 euro dhe stufat me biomasë e dru, për familjet që janë pjesë e skemës së asistencës sociale do të përkrahen me 90 për qind deri më 560 euro kurse për të tjerët deri në 435 euro”, shtoi ajo.

Gjithashtu, Rizvanolli ka bërë të ditur se aplikimi lidhur me këto masa do të bëhet online përmes platformës e-Kosova si dhe kriteret janë të specifikuara në thirrjen për aplikim.

E para e Ministrisë së Ekonomisë ka theksuar se përmes kësaj mase do të përkrahen së paku 10 mijë familje.

Ajo tha se qëllimi i këtyre masave është i dyfishtë, që t’i ndihmojmë familjet që zëvendësojnë ngrohjen me energji me alternativat tjera si peleti, druri apo briketi ose pajise elektrike që shpenzojnë 60 për qind deri 70 për qind më pak energji elektrike.

“Qëllimi i këtyre masave është i dyfishtë, që t’i ndihmojmë familjet që zëvendësojnë ngrohjen me energji me alternativat tjera si peleti, druri apo briketi ose pajise elektrike që shpenzojnë 60 për qind deri 70 për qind më pak energji elektrike. Ndërsa, qëllimi i dytë është të ndihmohen familjet se pavarësisht se me çfarë janë ngrohur, e veçanërisht familjet me kushte të vështira ekonomike”, ka shtuar Rizvanolli.

“Me këto masa pritet të përkrahen së paku 10 mijë familje, me qëllim të uljes se së paku 70 për qind të konsumit të energjisë elektrike”, tha Rizvanolli në konferencën për media.