Miratohet Projektligji që përcakton çmimin tavan për produktet bazike

27.10.2022

Sot në seancën e Kuvendit të Kosovës, me 63 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, është votuar në lexim të parë Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg. Ky projektligj i lartëcekur ka paraparë që disa produkteve bazike t’iu vendoset çmimi tavan, ashtu si për […]

Miratohet Projektligji që përcakton çmimin tavan për produktet bazike Foto: Ilustrim

Sot në seancën e Kuvendit të Kosovës, me 63 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, është votuar në lexim të parë Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Ky projektligj i lartëcekur ka paraparë që disa produkteve bazike t’iu vendoset çmimi tavan, ashtu si për momentin që po i vendoset derivateve të naftës.

Ndonëse ky Projektligj është në të mirë të qytetarëve, gjatë shqyrtimit të bërë nga deputetë e opozitës kanë shprehur kritika duke e kualifikuar këtë Projektligj si anti-kushtetues dhe në kundërshtim me ekonominë e tregut të lirë.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari si iniciuse e hartimit të këtij Projektligji, ka thënë se kjo është bërë si shkak i rritjes së çmimeve bazë vende-vende rritje edhe të paarsyeshme, duke theksuar se ky projektligj do të aplikohet atëherë kur ka raste të destabilizimit në treg.

Po ashtu, ajo shtoi se deri tek hartimi i këtij projektligji kontribouan edhe ankesat e shumta të qytetarëve për rritjen e menjëhershme të çmimeve tek të gjitha produktet bazë.

“Duke marrë parasysh situatën aktuale të rritjes së paarsyeshme të çmimeve të produkteve bazë, si dhe ankesave të shumta të qytetarëve për rritjen e menjëhershme të çmimeve tek të gjitha produktet bazë, Ministria e Tregtisë dhe Qeveria ka hartuar ligjin i cili do të aplikohet në rastet e destabilizimit në treg”, ka thënë Hajdari.

Çmimet maksimale të shitjes apo çmimet tavan pritet të vendoset tek lëndët e drurit për djegie, buka dhe vaji ushqimore.

Gjithashtu, në këtë listë të vendosjes së çmimeve tavan do të përfshihen edhe drithërat, mielli i grurit, orizi, pastat, qumështi, kripa e kuzhinës, sheqeri kristalor, vezët e pulës, mishi i pulës dhe produktet higjienike.

Përpos këtyre, listës së vendosjes së çmimeve maksimale për shitje do të përfshihen edhe produkte tjera themelore të konsumit për jetesë, të përcaktuara këto me vendim të Qeverisë së Kosovës.