Vetëm edhe nesër mund të aplikoni për mbështetjen prej 100 eurosh
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se nesër është dita e fundit për aplikim për përfitimin e mbështetjes financiare prej 100 eurosh në kuadër të Pakos së Përballjes me Inflacion 2.0.
Foto: Ilustrim
Sipas Muratit, studentët dhe punëtorët e sektorit jo-publik që ende nuk kanë aplikuar, mund ta bëjnë këtë deri në përfundim të afatit të përcaktuar.
Ai u ka bërë thirrje aplikuesve që të plotësojnë me kujdes të dhënat e kërkuara, në mënyrë që aplikimet të procesohen pa pengesa.
Studentët mund të aplikojnë përmes platformës https://ekosova.rks-gov.net, ndërsa punëtorët e sektorit privat përmes formularit përkatës në faqen e https://atk-ks.org.
Pagesa prej 100 eurosh është pjesë e masave qeveritare që synojnë të lehtësojnë barrën financiare të qytetarëve përballë rritjes së çmimeve dhe inflacionit.
