Paga minimale të jetë 600 euro – Sindikata e sektorit privat kërkon që pagat me rritje të ekzekutohen me 1 janar
Federata e Sindikatave të Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSK) i ka bërë apel Qeverisë së Kosovës në detyrë që të zbatojë vendimin për rritjen e pagës minimale nga 1 janari 2026, ashtu siç është miratuar më 31 tetor 2025.
Foto: Ilustrim
Në apelin e drejtuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrit të Financave në detyrë, Hekuran Murati, FSPTSK rikujton se Qeveria ka vendosur që paga minimale të rritet nga 350 euro në 500 euro, në dy faza. Sipas këtij vendimi, faza e parë parasheh rritjen e pagës minimale në 425 euro bruto nga 1 janari 2026, ndërsa faza e dytë në 500 euro nga 1 korriku 2026.
Federata thekson se zbatimi i këtij vendimi është i domosdoshëm për të lehtësuar koston e jetesës për punëtorët e sektorit privat, veçanërisht në kushtet e rritjes së vazhdueshme të inflacionit dhe çmimeve në treg.
Po ashtu, FSPTSK ka kërkuar nga Qeveria që të ndërmarrë përgatitjet e nevojshme buxhetore, sidomos për kompanitë publike dhe ato private që ofrojnë shërbime për institucionet publike. Sipas Federatës, këto kompani nuk kanë aktualisht buxhet të paraparë për rritjen e pagës minimale, ndonëse mbulojnë një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve mujore të Qeverisë.
“Në mungesë të përgatitjeve buxhetore, rrezikohet që vendimi për rritjen e pagës minimale të mos zbatohet në praktikë”, thuhet në reagimin e Federatës.
Në fund, FSPTSK ka ritheksuar kërkesën e saj që paga minimale, në kushte normale ekonomike, të arrijë së paku në 600 euro, duke e cilësuar këtë si një domosdoshmëri për garantimin e dinjitetit, sigurisë ekonomike dhe mirëqenies së punëtorëve në Kosovë.
Federata ka bërë të ditur se do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet lidhur me këtë çështje dhe nuk përjashton veprime të tjera sindikale në rast se vendimi nuk zbatohet.
Kurti: Subjektet politike shqiptare në Luginë dakordohen për listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar”