Paga më të mira dhe kushtet e punës do t’i motivonin qytetarët për të mos emigruar

12.01.2024

Sot, Instituti GAP ka publikuar raportin “Prirja për të emigruar nga Kosova pas liberalizimit të vizave: ndikimi në fuqinë punëtore”, përmes të cilit ka analizuar se si pritet të ndikojë emigrimi i qytetarëve të Kosovës në tregun e saj të punës. Disa nga gjetjet kryesore të raportit tregojnë se liberalizimi i vizave e gjen Kosovën […]

Paga më të mira dhe kushtet e punës do t’i motivonin qytetarët për të mos emigruar Foto: Ilustrim

Sot, Instituti GAP ka publikuar raportin “Prirja për të emigruar nga Kosova pas liberalizimit të vizave: ndikimi në fuqinë punëtore”, përmes të cilit ka analizuar se si pritet të ndikojë emigrimi i qytetarëve të Kosovës në tregun e saj të punës.

Disa nga gjetjet kryesore të raportit tregojnë se liberalizimi i vizave e gjen Kosovën në një dinamikë më ndryshe se shtetet tjera të rajonit në kohën kur atyre i’u ofrua lëvizja e lirë në BE. Në vitin e parë pas liberalizimit të vizave për shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor, shkalla e emigrimit nuk ishte shumë e lartë, duke arritur në maksimum 2.9% të popullsisë së një shteti, por tendenca për të emigruar është bërë shumë më e theksuar në tërë Ballkanin Perëndimor pas vitit 2015. Kjo kryesisht si rrjedhojë e kërkesave të mëdha dhe zbutjes së kritereve nga shtetet e BE-së për punëtorë të huaj.

Nga viti 2012 deri në vitin 2022, nga Kosova kanë emigruar mbi 338 mijë qytetarë. Vetëm në vitin 2022 kanë emigruar 41,553 qytetarë dhe në këtë vit fuqia punëtore aktive është zvogëluar për 21,571 persona, ndërsa fuqia punëtore jo-aktive është zvogëluar për 14,698 persona. Në rast se nuk kemi një aktivizim të fuqisë punëtore jo-aktive, e cila është mjaft e lartë, aktualisht zëvendësimi i fuqisë punëtore së munguar nga imigrantë të huaj është i pamjaftueshëm. Në vitin 2022, 2,979 shtetas të huaj të cilët kanë emigruar në Kosovë për arsye punësimi kanë zëvendësuar më pak se 14% të fuqisë punëtore aktive që nuk ishin më pjesë e tregut të punës.

Rezultatet e anketës së realizuar nga Instituti GAP në dhjetor të vitit 2023, disa nga arsyet kryesore të cilat do të motivonin qytetarët për të mos emigruar dhe qëndruar në Kosovë janë pagat më të mira
(32.4%), përmirësimi i kushteve të punës sikurse respektimi i kontratës së punës,
orarit të punës, pushimit vjetor dhe të ngjashme (29.2%), përmirësimi i gjendjes
në shëndetësi (13.8%), etj.