Punëtorët e KEK-ut në protestë më 24 dhjetor, kërkojnë rritje pagash
Punëtorët e DPQ-së i kanë dhënë sot “PO”-në e madhe protestës së paralajmëruar për datën 24.12.2025, gjatë një tubimi mobilizues të organizuar nga Sindikata e Re e KEK-ut.
Në këtë tubim, punëtorët janë informuar nga afër nga aktivistët sindikalë për ecurinë e dialogut me menaxhmentin, dialog i cili, sipas sindikatës, deri më tani nuk ka prodhuar asnjë rezultat konkret në drejtim të përmbushjes së kërkesave të punëtorëve.
Përfaqësuesit sindikalë kanë ritheksuar vendosmërinë për vazhdimin e protestave, duke theksuar se ngritja e pagave është një e drejtë legjitime dhe e panegociueshme e punëtorëve. Nga tubimi ka dalë një qëndrim i përbashkët dhe i qartë se protestat dhe grevat do të vazhdojnë pa u ndalur deri në reflektim institucional dhe arritjen e një marrëveshjeje për rritje të pagave.
Kryesia e Sindikatës së Re ka ftuar të gjithë punëtorët që më 24 dhjetor 2025, në ora 11:00, të mblidhen para zyrave të KEK-ut në Prishtinë, për të protestuar në mënyrë të fuqishme dhe dinjitetshme.
“Solidaritet, bashkim dhe vendosmëri. Protesta është zëri ynë dhe forca jonë”, thuhet në mesazhin e Sindikatës së Re – KEK, e cila ka theksuar se do të qëndrojë e palëkundur në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve.