Njësia A3 jashtë funksionit, KEK jep detaje për furnizim me energji elektrike
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka bërë të ditur se blloku A3 i Termocentralit “Kosova A” është jashtë funksionit të prodhimit të energjisë elektrike.
Zëdhënësi i KEK, Skënder Bucolli, konfirmoi për KosovaPress se prodhimi dhe furnizimi me energji elektrike vazhdon normalisht, pavarësisht situatës me njësinë A3, e cila ishte në remont që nga 31 tetori.
Bucolli theksoi se aktualisht janë duke operuar njësia A4 e TC “Kosova A” dhe njësitë B1 dhe B2 të TC “Kosova B”, me një kapacitet të përgjithshëm prodhues prej 14,640 MWh. Ai shtoi se pas ri-fillimit të njësisë A3 është vërejtur nevoja për ndërhyrje dhe sanime shtesë teknike gjatë kësaj jave.
“Korporata Energjetike e Kosovës po përmbush në mënyrë të plotë të gjitha obligimet operacionale dhe kontraktuale, duke garantuar stabilitetin dhe furnizimin pa ndërprerje për konsumatorët. Megjithatë, sasia e energjisë që do të prodhohej nga njësia A3 është kompensuar nga njësitë e tjera, dhe nuk ka mungesë të energjisë elektrike,” tha Bucolli.
Ndërkohë, me afrimin e stinës së dimrit, rritet edhe kërkesa për energji elektrike, por KEK garanton që furnizimi për konsumatorët do të vazhdojë pa ndërprerje.