Nga Kosova në Amerikë, nga Amerika për Kosovën! Maqedonci takon Ndihmës-Sekretarin e Mbrojtjes për NATO dhe Evropë

14.01.2025

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqendonci, ka zhvilluar takim me Ndihmës-Sekretarin e Mbrojtjes për NATO dhe Evropë, z. Alton Buland, në Departamentin e Mbrojtjes të SHBA-së, për thellim të bashkëpunimit.

Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar një takim frytdhënës me Ndihmës-Sekretarin e Mbrojtjes për NATO dhe Evropë, z. Alton Buland, në Departamentin e Mbrojtjes të SHBA-së. Fokusi kryesor i këtij takimi ishte thellimi i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe përparimi i realizimit të objektivave të përbashkëta.

Gjatë takimit, Ministri Maqedonci dhe z. Buland diskutuan në detaje për sukseset e arritura në kuadër të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK). Të dy palët vlerësuan pozitivisht përparimin e FSK-së drejt profesionalizimit dhe standardizimit të saj sipas kritereve të NATO-s.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit u fokusua në fazën e tretë dhe finale të këtij plani. Ministri Maqedonci dhe z. Buland shkëmbyen ide dhe përvoja në lidhje me hapat e ardhshëm që duhet ndërmarrë për një implementim të suksesshëm të kësaj faze.

Gjithashtu, u diskutua për realizimin e marrëveshjes kornizë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes. Kjo marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit bilateral dhe në thellësimin e partneritetit strategjik midis dy vendeve.