Nesër nis votimi nga diaspora për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale

28.10.2021

Po ashtu, edhe për këtë raund të dytë, diaspora do të votojë përmes postës, ku periudha e votimit fillon nesër (e premte), pra nga 29 tetori deri më 12 nëntor, që do të zgjasë 15 ditë. Ndryshe, në raundin e parë të zgjedhjeve të 17 tetorit, 15 mijë e 532 persona kishin arritur të regjistrohen […]

Nesër nis votimi nga diaspora për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale Foto: Ilustrim

Po ashtu, edhe për këtë raund të dytë, diaspora do të votojë përmes postës, ku periudha e votimit fillon nesër (e premte), pra nga 29 tetori deri më 12 nëntor, që do të zgjasë 15 ditë.

Ndryshe, në raundin e parë të zgjedhjeve të 17 tetorit, 15 mijë e 532 persona kishin arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë vendit, ndërkaq Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kishte pranuar 9 mijë e 610 zarfe me vota.

Nga organizata joqeveritare “Germin”, organizatë kjo që merret kryesisht me çështje të diasporës deklarojnë për Telegrafin se pjesëmarrja e diasporës në zgjedhjet lokale është zakonisht më e ulët se në zgjedhjet parlamentare. 

“Pjesëmarrja e diasporës në zgjedhjet lokale zakonisht është më e ulët se në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës. Kjo shpjegohet me faktin se pjesëtarët e diasporës afektohen relativisht më pak nga politikat e përditshme të nivelit lokal”, ka thënë për Telegrafin, Lirim Krasniqi nga organizata GERMIN.

Kurse sa i përket trajtimit të fletëvotimeve nga KQZ, Krasniqi thotë se kësaj radhe procesi ka shkuar mirë.

“Fillimisht, procesin e verifikimit e kanë kaluar mbi 85% e zarfeve të pranuara. Më pastaj nga 9,610 zarfe të individualizuara, kanë rezultuar 9,130 vota të vlefshëm (për kryetar komunash) apo rreth 95% e totalit. Kjo tregon se është rritur cilësia e votimit nga diaspora dhe votat e pavlefshme janë shumë më të pakta në numër në krahasim me zgjedhjet e kaluara”, është shprehur ai.