Muja: Kontrollet në sektorin e ushqimit zbatohen pa përjashtim, mbrojtja e konsumatorit prioritet

02.07.2026

Ministri në detyrë i Bujqësisë dhe Blegtorisë, Armend Muja, ka deklaruar se kontrollet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në sektorin e qumështit dhe produkteve të qumështit janë pjesë e mandatit të rregullt ligjor dhe zbatohen ndaj të gjithë operatorëve ekonomikë pa dallim.

Deklarata e tij vjen pas masave të ndërmarra në kompaninë “Vita”, ku janë zhvilluar inspektime për verifikimin e respektimit të standardeve të sigurisë ushqimore dhe kërkesave ligjore.

Sipas tij, këto kontrolle kanë për qëllim të sigurojnë zbatimin e protokolleve të prodhimit, vlefshmërinë e licencave dhe përputhshmërinë me normat në fuqi.

Muja theksoi se siguria ushqimore mbetet prioritet i institucioneve dhe se qytetarët kanë të drejtë të dinë se çfarë produkte konsumojnë.

“Kontrollet shërbejnë për mbrojtjen e interesit publik dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg. Askush nuk është mbi ligjin,” u shpreh ai.

AUV, sipas tij, vepron me të njëjtin standard në të gjitha segmentet e industrisë ushqimore, duke synuar forcimin e besimit të konsumatorëve dhe mbrojtjen e prodhimit vendor.