Armend Muja: Vendosen çmimi referent dhe kontrata të detyrueshme në sektorin e qumështit
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, ka bërë të ditur se janë miratuar dy vendime që ndryshojnë funksionimin e sektorit të qumështit në Kosovë.
Sipas tij, përmes Platformës Kombëtare të Qumështit, Ministria do të publikojë rregullisht Çmimin Referent të Qumështit, i cili do të bazohet në të dhëna mbi prodhimin, kostot, importet, përpunimin dhe zhvillimet e tregut. Ky mekanizëm synon të rrisë transparencën dhe të ofrojë një orientim më të qartë për gjithë zinxhirin e furnizimit.
Po ashtu, është vendosur që marrëdhëniet në sektorin e qumështit të rregullohen përmes kontratave të detyrueshme me shkrim. Ato do të përfshijnë çmimin referent, kushtet e cilësisë së produktit dhe afatin maksimal të pagesës prej 30 ditësh.
Muja theksoi se fermerët do të kenë më shumë siguri për vlerën e produktit të tyre, kushtet e shitjes dhe kohën e pagesës, duke reduktuar pasiguritë në treg.
Sipas tij, këto masa synojnë krijimin e një tregu më transparent, më të drejtë dhe më të balancuar, si dhe forcimin e prodhimit vendor dhe sigurisë ushqimore në vend.
