MSH: Nëse ka rritje të rasteve me COVID-19 masat do të ashpërsohen dhe të kthehen disa kufizime

Komiteti për vlerësimin dhe koordinimin e situatës epidemiologjike kundër COVID-19, ka kërkuar sot mirëmbajtjen e masave në fuqi kundër COVID-19 dhe respektimin e tyre të plotë.

Në takimin e këtij Komiteti të drejtuar nga Ministri në detyrë i Shëndetësisë, është kërkuar nga institucionet monitoruese dhe mbikëqyrëse që ta rrisin angazhimin për respektimin rigoroz të masave në fuqi, përballë një rritjeje të numrit të infektuarve gjatë kësaj jave.

Ndërsa kanë bërë të ditur se ditën e premte, do të bëhet kategorizimi i ri i komunave sipas zonave ( e kuqe, e verdhë dhe e gjelbër), bazuar në numrin e rasteve të COVID-19 brenda intervalit kohor prej një jave.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë , Armend Zemaj ka thënë se situata me COVID-19 në Kosovë tregon për një rritje të rasteve javën e fundit për 26.8%  me trend të rritjes prej 343 në periudhën 17 shkurt 2021 deri 23 shkurt 2021, deri 469 në mesatare javore (24.2 deri 3.3.2021).

“Sipas projeksionit, kemi rritje nga 431 raste në 512 raste me mesatare 435”, tha ai.

Para çfarë do ashpërsimi të masave, “apeloj sot tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19”, ka thënë tutje Zemaj.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se në situatën në të cilën ndodhet Kosova është e domosdoshme që në mënyrë strikte të respektohen nga të gjitha masat: distanca fizike, përdorimi i maskave, dezinfektimi dhe ajrosja e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.

Zemaj tutje ka thënë se e vetmja rrugë kundër virusit aktualisht është parandalimi.

“Parandalimi deri më tani pati sukses. Duhet ta vazhdojmë disiplinën. Ka vonesa për furnizim me vaksina, si pasojë e kërkesave të mëdha në tregun ndërkombëtar dhe si pasojë edhe e mos realizimit të zotimeve edhe nga mekanizma ndërkombëtar apo shtyrje të përmbushjes së zotimeve”, tha ai.

Ai ka thënë se një nga rrugët e sigurimit të këtyre vaksinave është edhe ajo nëpërmjet të mekanizimit COVAX, e cila në fillim të shkurtit kishte publikuar intinerarin e shpërndarjes së vaksinave për shtetet përfituese ku ishte edhe Kosova, duke vendosur shkurtin si afat të fillimit të alokimit, por i cili është shtyer.

“Së fundi, ky mekanizëm ka publikuar orarin e të alokimeve dhe listën e shteteve përfituese për periudhën shkurt –maj 2021 dhe Kosova është listuar në mesin e atyre vendeve që gjatë kësaj periudhe do të përfitojë 100.800 dozat e para. Kjo nuk nënkupton se kemi hequr dorë edhe prej iniciativave dhe marrëveshjeve apo pajtimeve që vaksinën ta sigurojmë edhe në rrugë të tjera, por vonesat kanë ndodhur përtej parashikimeve për shumë arsye” ka thënë Zemaj.

Tutje, Zemaj ka theksuar se janë të vetëdijshëm edhe për presionin që qytetarëve të vendit tonë u behët për vaksinim në shtete tjera, sidomos qytetarëve serbë, por ai thotë se e kanë bërë të qartë, që nuk do të marrin vaksina nga shteti i Serbisë e as nga Rusia.

“Kosova do të marr vetëm vaksina të miratuara për përdorim nga EMA, FDA dhe OBSh.Si MSH dhe si Qeveria e Republikës së Kosovës kemi përmbushur çdo kriter të mundshëm dhe të kërkuar nga secili mekanizëm apo partner dhe kjo u konfirmua edhe nga COVAX, ndërsa plani i detajuar i vaksinimit në detaje është pra miratuar e pranuar dhe është publik”, ka thënë Zemaj.

Lidhur me situatën epidemiologjike ka raportuar drejtori i IKSHPK-së dr. Naser Ramadani, ndërkohë që për ngarkesën aktuale spitalore të SHSKUK-së  ka folur drejtori i këtij shërbimi Dr. Valbon Krasniqi i cili tha se aktualisht në SHSKUK dhe njësitë e saj janë në trajtim 573 pacientë, prej të cilave 405 me COVID-19.

RAPORTO