Morinë, 41-vjeçari kosovar kapet në kufi me 13 mijë euro të padeklaruara

04.01.2025

Një 41-vjeçar nga Kosova me iniciale V. Z., është kapur nga autoritetet shqiptare duke kaluar kufirin Kosovë-Shqipëri me 13 mijë e 420 euro pa i deklaruar. 

Ai është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

“Procedimi penal për këtë shtetas nisi pasi në hyrje të RSh-së, gjatë kontrollit fizik shtetasit V. Z., shërbimet e Policisë i gjetën 13,420 euro, të cilat nuk i deklaroi konform ligjeve në fuqi. Paratë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftim.

Tutje, theksohet se materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.