Molliqaj: Vetëvendosje po i ik debatit me PSD-në, opozita po e kopjon pushtetin
Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po shmang përballjet publike me PSD-në, duke thënë se partia në pushtet nuk është e gatshme të përballet me argumentet e kësaj force politike.
Gjatë emisionit “Debat Përnime”, ku u diskutua për buxhetin dhe prioritetet ekonomike të partive që garojnë në zgjedhjet e 7 qershorit, Molliqaj deklaroi se mungesa e partive të tjera në debate vjen si pasojë e mungesës së ideve dhe pamundësisë për të mbrojtur qëndrimet e tyre.
Sipas tij, Vetëvendosje refuzon debatet me PSD-në sepse kjo parti paraqet sfidë reale politike në diskutimet publike. Ai tha se, pavarësisht dallimeve në mbështetjen elektorale, partia në pushtet nuk pranon të përballet drejtpërdrejt me PSD-në.
Molliqaj kritikoi edhe partitë opozitare, duke vlerësuar se ato po ndjekin të njëjtën qasje si Vetëvendosje.
Sipas tij, opozita po tenton të shmangë debatet publike duke menduar se qytetarët nuk i vërejnë këto veprime.
Ai theksoi se debatet janë pjesë e domosdoshme e demokracisë dhe u zotua se nuk do të zgjedhë as panelin e as kundërshtarët në debate, pavarësisht pozitës politike që mund të ketë në të ardhmen.
“Edhe kur kam pasur më shumë vota, edhe kur kam pasur më pak, nuk kam zgjedhur kurrë kundërshtarët në debat dhe nuk do ta bëj as në të ardhmen”, deklaroi Molliqaj./Kallxo.com/
