Mjet shpërthyes i Luftës së Dytë Botërore gjendet në Kaçanik, rrezik shpërthimi brenda 72 orëve

27.04.2025

Një mjet i dyshuar shpërthyes, që daton nga koha e Luftës së Dytë Botërore, është zbuluar në lagjen Teneqja të fshatit Stagovë, në komunën e Kaçanikut.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt, i cili ka njoftuar se mjeti u gjet të shtunën, më 26 prill 2025.

Pas zbulimit, patrulla policore ka vepruar menjëherë duke marrë masa sigurie dhe duke bllokuar rrugët alternative që ndodhen pranë vendit ku u gjet mjeti i rrezikshëm.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe njësitë specializuara të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe të KFOR-it për të vlerësuar situatën dhe për të menaxhuar më tej operacionin e sigurimit.

Sipas një vlerësimi fillestar të bërë nga ekspertët e KFOR-it, ekziston një rrezik potencial që mjeti shpërthyes të aktivizohet brenda 72 orëve nga momenti i gjetjes. Për këtë arsye, ata kanë rekomanduar që deri më 30 prill 2025, pas kalimit të këtij afati kritik, të bëhet sigurimi dhe trajtimi i mjetit në mënyrë të kontrolluar për të shmangur çdo rrezik për sigurinë e qytetarëve. Autoritetet po i bëjnë thirrje banorëve të zonës të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin udhëzimet e policisë dhe ekipeve të sigurisë.