Ministrja Rizvanolli: Subvencionimi i pajisjeve efiçiente ka ulur konsumin e energjisë elektrike

28.12.2024

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka hedhur poshtë pretendimet se subvencionimi i pajisjeve efiçiente të ngrohjes ka ndikuar negativisht në rritjen e konsumit të energjisë elektrike dhe mbingarkesën e rrjetit të furnizimit.

Në një postim të gjatë në Facebook, ajo i quajti këto pretendime “gënjeshtra pa bazë teorike apo empirike” dhe prezantoi të dhëna konkrete që dëshmojnë efektet pozitive të masave të ndërmarra.

Të dhënat empirike: Ulje e konsumit dhe kursime financiare

Rizvanolli theksoi se vetëm familjet që ngroheshin me energji elektrike dhe nuk kishin qasje në ngrohje qendrore apo kolektive, kishin të drejtë të përfitonin nga këto masa. Këto familje kanë arritur:

• Uljen mesatare të konsumit të energjisë elektrike me 19% gjatë dimrit të parë pas instalimit të pajisjeve efiçiente.

• Kursimin e 27 milionë kilovatorëve (kWh) deri tani, ekuivalente me 5 milionë euro bazuar në çmimet mesatare të importit të energjisë.

“Pa subvencionimin e pajisjeve efiçiente, situata sot do të ishte më e rëndë,” tha ministrja, duke nënvizuar se masat kanë ndihmuar edhe në ngritjen e vetëdijes publike dhe ndalimin e trendit të blerjes së kaldave elektrike, të cilat janë ndër shkaktarët kryesorë të konsumit të lartë gjatë dimrit.

Kundër dezinformatave dhe propagandës

Ministrja kritikoi ashpër përhapjen e dezinformatave, duke thënë se “propaganda e dobët” e disa deputetëve u riciklua në mediat televizive dhe shtyp pa një analizë të thelluar. Ajo vuri në dukje se kjo lloj dezinformate dëmton jo vetëm diskursin publik, por edhe përpjekjet për të rritur efiçiencën energjetike, që është thelbësore për Kosovën.

“Për një njësi të Bruto Produktit Vendor (BPV), Kosova konsumon 2.5 herë më shumë energji se mesatarja e rajonit dhe 4 herë më shumë se mesatarja e Bashkimit Evropian. Nevoja për efiçiencë energjetike është e padiskutueshme,” tha Rizvanolli.

Partneriteti dhe mbështetja ndërkombëtare

Ministrja shprehu falënderime për partnerët ndërkombëtarë si GIZ Kosovo, World Bank Kosovo, MCC/MFK, USAID Kosovo dhe Bashkimin Evropian, të cilët kanë mbështetur dhe financuar skemat e subvencionimit për vitet 2023 dhe 2024.

Në fund, Rizvanolli riafirmoi angazhimin e Ministrisë së Ekonomisë për të vazhduar promovimin e masave që synojnë rritjen e efiçiencës energjetike dhe kursimin e burimeve për një të ardhme më të qëndrueshme.