Ministria e Shëndetësisë angazhon 422 infermierë shtesë për vaksinim masiv

12.06.2021

Është duke vazhduar procesi i vaksinimit kundër COVID-19 në territorin e Kosovës. Më 15 qershor pritet të fillohet me vaksinim masiv për qytetarët e vendit me dozën e vaksinës anti-COVID. E për t’u realizuar sa më mirë ky proces të gjitha komunat tashmë kanë bërë përgatitjet e nevojshme dhe deklarojnë se janë gati për vaksinimin […]

Ministria e Shëndetësisë angazhon 422 infermierë shtesë për vaksinim masiv Foto: Ilustrim

Është duke vazhduar procesi i vaksinimit kundër COVID-19 në territorin e Kosovës.

Më 15 qershor pritet të fillohet me vaksinim masiv për qytetarët e vendit me dozën e vaksinës anti-COVID.

E për t’u realizuar sa më mirë ky proces të gjitha komunat tashmë kanë bërë përgatitjet e nevojshme dhe deklarojnë se janë gati për vaksinimin në masë.

Krahas ekipeve mjekësore autoritetet komunale kanë përgatitur edhe hapësirat ku do zhvillohet procesi i imunizimit e që kryesisht janë përzgjedhur salla kulturore dhe sportive.

Në një përgjigje me shkrim për KosovaPress Ministria e Shëndetesisë ka njoftuar se tashmë ka përfunduar konkursi për 422 infermiere shtesë, ndërsa parashihen edhe 190 specializantë në proces të vaksinimit.

“Në kuadër të Planit të Veprimit parashihet rritja e kapaciteteve në resurse humane, që nënkupton rritjen e ekipeve të vaksinimit nga 89 sa janë aktualisht në 279, është përfunduar konkursi për 422 infermierë shtesë, do të angazhohen edhe 190 specializantë në vaksinim, janë siguruar pajisjet e nevojshme mbrojtëse për stafin.

Vaksina janë siguruar aktualisht dhe pritet ardhja edhe vaksinave të tjera, është ndërtuar Moduli i vaksinimit në Sistemin e Informimit Shëndetësor si dhe janë shtuar hapësirat e reja të vaksinimit në 30 komuna të Kosovës. Gjithashtu, janë kryer edhe përgatitje të tjera logjistike që procesi të nis javën tjetër”, thuhet ndër të tjerash në përgjigjen e MSh-së.

Në bazë të kësaj shkrese Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ashtu siç është paraparë në Plani Shtetëror të Vaksinimit kundër COVID-19 me vaksinimin masiv krahas moshës mbi 65 vjeç dhe atyre me sëmundje kronike, planifikohet edhe vaksinimi i mësimdhënësve dhe shërbyesit e sigurisë.

“Sa u përket kategorive, ato janë të përcaktuara në Planin Shtetëror të Vaksinimit kundër COVID-19 ku në fazën e dytë është duke u bërë vaksinimi i personave mbi 65 vjeç, personave me sëmundje kronike, për të vazhduar më pastaj me mësimdhënësit, shërbimet e sigurisë që janë të ndërlidhura me menaxhimin e COVID-19 dhe pastaj me kategoritë e radhës sipas fazën tjetër (fazës III)”, deklaroi MSh.

Kujtojmë se në Kosovë deri më tani janë vaksinuar 92 mijë e 890 qytetarë.