Ministria e Financave nuk e jep listën e të gjitha bizneseve që përfituan nga Pako e Rimëkëmbjes

23.04.2021

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, të enjten ka publikuar listën e 50 bizneseve që përfituan më së shumti nga pakoja prej 60 milionë eurove, e cila u shpërnda në tetor të vitit 2020. SuharekaOnline gjatë ditës ka dorëzuar kërkesë zyrtare në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve për çasje në listën e […]

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, të enjten ka publikuar listën e 50 bizneseve që përfituan më së shumti nga pakoja prej 60 milionë eurove, e cila u shpërnda në tetor të vitit 2020.

SuharekaOnline gjatë ditës ka dorëzuar kërkesë zyrtare në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve për çasje në listën e plotë e të gjitha bizneseve përfituese nga Pako e Rimëkëmbjes në shumën prej 60 milionë eurove.

Asistentja Ekzekutive e Ministrit, Antoneta Azemi, ka thënë se “publikimi i të dhënave të shpenzimeve është prioritet i Qeverisë Kurti. Andaj, jemi duke punuar në krijimin e një vegle për publikimin e shpenzimeve nga Thesari i Kosovës, e cila ka për qëllim rritjen e transparencës” dhe se publikimi i emrave të 50 bizneseve është konform obligimeve që dalin nga marrëveshja e huamarrjes nga BE.

Publikimin e listës së 50 bizneseve përfituese e ka mbështetur edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, me të cilin redaksia e SuharekaOnline ka kontaktuar dhe sipas Saroj ARGUESO GONZALEZ nga kjo zyre qëndron fakti se ashtu siç edhe shkruan në postimin e Tomas Szunyog në twitter publikimi i 50 përfituesve më të mëdhenj të ndihmave është një nga kushtet që Kosova dhe BE kanë rënë dakord kur u nënshkrua marrëveshja e huadhënies.

“Në të vërtetë siç tregohet në cicërimin e fundit, publikimi i 50 marrësve më të mëdhenj të ndihmave është një nga kushtet që Kosova dhe BE kanë rënë dakord kur u nënshkrua marrëveshja e huasë për MPJ.

Aksesi në të dhëna publike është një çështje e rëndësishme për ndërtimin e një marrëdhënie të fortë dhe të besueshme midis çdo administrate publike dhe qytetarëve të saj. Për më tepër, ne e pranojmë rolin e rëndësishëm të mediave në dhënien e informacionit të saktë për qytetarët” thuhet në përgjigjen e shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.