Ministri Sveçla premton sigurimin shëndetësor dhe jetësor për policët

28.05.2021

Mbetet ende shqetësuese fakti se pjesëtarët e Policisë së Kosovës nuk e gëzojnë sigurimin shëndetësor si dhe atë jetësor, pavarësisht se premtime kishte çdo herë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Policia në çdo kohë është në shërbim të vendit e të qytetarëve të saj, madje që nga viti i kaluar jeta e […]

Ministri Sveçla premton sigurimin shëndetësor dhe jetësor për policët Foto: Ilustrim

Mbetet ende shqetësuese fakti se pjesëtarët e Policisë së Kosovës nuk e gëzojnë sigurimin shëndetësor si dhe atë jetësor, pavarësisht se premtime kishte çdo herë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Policia në çdo kohë është në shërbim të vendit e të qytetarëve të saj, madje që nga viti i kaluar jeta e tyre është vënë në rrezik për shkak të punës gjatë pandemisë me COVID-19 dhe se shumë policë edhe janë infektuar, ku shërimi u kushtoi me qindra euro.

Me rrogën bazë që kanë policët është problem që t’i mbulojnë shpenzimet e tyre në rast të problemeve shëndetësore.

Në secilën palë zgjedhje, partitë politike premtojnë për sigurim shëndetësorë jetësor të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

Ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka premtuar se shumë shpejt do të mundësohet sigurimi shëndetësor dhe jetësor për policët e Kosovës.

Ndonëse nuk dha një datë kur do të jetësohet kjo, Sveçla në emisionin dPT te Fidani në T7 theksoi se do të ndodhë në të ardhmen e afërt.

“Policëve u duhet sigurimi shëndetësor që të mos mbesin raste sociale pasi të sëmuren dhe të mbesin pa punë”, tha ai.

“Po ashtu na duhet sigurim jetësor. Shumë policë kanë rënë në detyrë. Disa prej familjeve të tyre jetojnë në kushte të rënda dhe shteti nuk po merret me ta. Kjo duhet të ndryshojë”, shtoi ai.