Milanoviç: Të gjithë anëtarët e BE-së duhet ta njohin Kosovën
Presidenti kroat, Zoran Milanoviç, ka bërë thirrje për njohjen e plotë të Kosovës nga të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian.
Gjatë një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Kroaci, Milanoviç theksoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për të qenë një shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht.
“Të gjitha kushtet për shtetësi dhe njohje të plotë ndërkombëtare të Kosovës janë plotësuar dhe veçanërisht Kosova duhet të njihet nga të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë”, deklaroi Milanoviç.
Aktualisht, pesë shtete anëtare të BE-së – Spanja, Qiproja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia – nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008.
Presidenti kroat riafirmoi mbështetjen e vendit të tij për Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit euro-atlantik. “Kosova ka mbështetjen e plotë dhe solide të Kroacisë në rrugën e anëtarësimit në të gjitha asociacionet ndërkombëtare”, tha Milanoviç.
Gjatë takimit, u theksua edhe rëndësia e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Milanoviç shprehu bindjen se një normalizim i tillë do të kontribuonte në stabilitetin e rajonit të Evropës Juglindore, një interes që përkon edhe me politikën e jashtme të Kroacisë.
“Është e nevojshme të normalizohen marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, sepse kjo do të nënkuptonte stabilitet më të madh në Evropën Juglindore, që është edhe interesi kombëtar kroat”, u shpreh presidenti kroat.
Gjatë vizitës së tij në Kroaci, kryeministri Kurti u takua edhe me kryeministrin Andrej Plenkoviq dhe kryeparlamentarin Gordan Jandrokoviq. Këto takime shërbyen për të forcuar më tej marrëdhëniet bilaterale midis dy vendeve dhe për të diskutuar çështje të përbashkëta.