MFPT ekzekuton pagesat prej 100 euro dhe bursat e mobilitetit për studentët

26.01.2026

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se pagesat në vlerë prej 100 euro për studentët janë realizuar në tërësi. Sipas njoftimit zyrtar, ekzekutimi i mjeteve është bërë në disa grupe dhe kanë përfituar të gjithë studentët që kanë përmbushur kriteret e përcaktuara.

Po ashtu, ministria bën të ditur se janë realizuar edhe pagesat e para të bursës së mobilitetit për studentët që jetojnë në distancë dhe që plotësojnë kushtet për përfitim nga kjo skemë.

Studentët të cilët nuk kanë përmbushur kriteret dhe, si rrjedhojë, nuk janë përfitues, janë njoftuar zyrtarisht për refuzimin përmes adresës elektronike të përdorur gjatë aplikimit në platformën e-Kosova.

Për çdo ankesë apo paqartësi, MFPT ka bërë të ditura edhe kontaktet përkatëse, ku studentët mund të drejtohen sipas kategorisë së përfitimit.