Opinion i pastër, por miliona euro në pensione të dyfishta dhe pagesa pas vdekjes

25.06.2026

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) për vitin 2025, duke i dhënë institucionit opinion të pamodifikuar, përkatësisht opinion të pastër për raportimin financiar.

Sipas auditorit, pasqyrat financiare të MFPT-së paraqesin drejt dhe në mënyrë të vërtetë gjendjen financiare të institucionit. Megjithatë, raporti ka evidentuar një varg parregullsish në menaxhimin e skemave pensionale, rimbursimeve tatimore dhe proceseve administrative.

Një nga gjetjet kryesore lidhet me pagesat e pensioneve të dyfishta. ZKA ka identifikuar pagesa në vlerë prej 926 mijë e 553 eurosh për persona që përfitonin më shumë se një pension, kryesisht në kategoritë e ish-pjesëtarëve të TMK-së dhe FSK-së, për shkak të mungesës së një interpretimi përfundimtar ligjor.

Raporti ka zbuluar gjithashtu se gjatë vitit 2025 janë kryer 517 pagesa në vlerë prej 91 mijë e 10 eurosh për persona që kishin ndërruar jetë. Po ashtu, janë evidentuar pagesa prej 259 mijë e 392 eurosh për persona që njëkohësisht ishin të punësuar ose realizonin të ardhura personale, kryesisht në skemën e veteranëve të UÇK-së.

Auditori ka ngritur shqetësime edhe për vonesat në rimbursimet tatimore nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK). Në 248 raste, kërkesat e tatimpaguesve janë trajtuar me vonesa nga 1 deri në 582 ditë, ndërsa nuk është aplikuar pagesa e interesit për bizneset, siç kërkohet me ligj.

Në raport janë përmendur edhe mangësi të tjera, përfshirë mbajtjen e 81 pozitave me ushtrues detyre në ATK për periudha nga 22 deri në 41 muaj, mos-përdorimin e plotë të platformës së-prokurimi dhe keqklasifikime të shpenzimeve mbi 96 mijë euro.

Sa i përket zbatimit të rekomandimeve të mëparshme, ZKA ka vlerësuar se progresi ka qenë i kufizuar. Nga nëntë rekomandimet e dhëna për vitin 2024, vetëm një është zbatuar plotësisht, një pjesërisht, ndërsa shtatë të tjera nuk kanë nisur të zbatohen.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar përmes një letre konfirmimi se pajtohet me gjetjet dhe rekomandimet e auditorit dhe se brenda 30 ditësh do të dorëzojë planin e veprimit për zbatimin e tyre.