Me këto fjalë Kurti e Osmani e përkujtuan sot ish-Presidentin Rugova

21.01.2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me presidenten Vjosa Osmani, kanë bërë të shtunën homazhe te varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova, me rastin e 17 vjetorit të vdekjes së tij. Kurti ka thënë pas homazheve se Rugova kujtohet për sjelljen e tij paqësore dhe humaniste, e po ashtu për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe […]

Me këto fjalë Kurti e Osmani e përkujtuan sot ish-Presidentin Rugova Foto: Ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me presidenten Vjosa Osmani, kanë bërë të shtunën homazhe te varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova, me rastin e 17 vjetorit të vdekjes së tij.

Kurti ka thënë pas homazheve se Rugova kujtohet për sjelljen e tij paqësore dhe humaniste, e po ashtu për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe kombëtarizimin e rezistencës.

“Bashkë me presidenten Vjosa Osmani-Sadriu vendosëm lule të freskëta dhe bëmë homazhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova, presidentit të parë të Republikës së parë të Kosovës dhe presidentit të parë të Kosovës së çliruar. 21 janari është ditë e ftohtë dhe është një ditë në të cilën teksa e përkujtojmë presidentin Rugova, e kujtojmë atë për qëndrimin intelektual, për sjelljen paqësore, për qasjen humaniste, për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe për kombëtarizimin e rezistencës”, është shprehur Kurti pas homazheve.

Ndërsa, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një prononcim për media tha se e përkujtojnë me mall njeriun i cili i dha zë kërkesave të drejta të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

Ajo po ashtu theksoi se trashëgimia që Rugova la pas është duke i shërbyer Kosovës si dritë udhërrëfyese në përpjekjet për forcimin e shtetit.

“Sot në përvjetor të shkuarjes në amshim të atit themeltar të Republikës së Kosovës, presidentit historik Ibrahim Rugova e përkujtojmë më mall njeriun i cili i dha zë kërkesave të drejta të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Natyrisht që është pikërisht trashëgimia që ai la pas, që na shërben si dritë udhërrëfyese në përpjekjet tona të pa ndalura që ta forcojmë shtetin tonë, i cili u ndërtua me shumë mund dhe sakrificë të shumë burrave e grave të Republikës së Kosovës”, ka thënë Osmani.

Sipas saj, trashëgimia e tij do të rrojë përherë edhe për brezat që vijnë pas.

“Prandaj ashtu siç diti presidenti Rugova të ndërtojë miq e aleatë të cilët e mbështetën Kosovën në ditët më të rënda e më të errëta të saj, ashtu do t’i ruajmë këto aleanca edhe në rrugën tonë përpara përderisa Kosova vazhdon të përballet me sfida. I përjetshëm qoftë kujtimi për të. Trashëgimia e tij do të rrojë përherë edhe për brezat që vijnë pas. Dëshiroj t’i falënderoj aleatët tanë që na janë bashkuar edhe sot për të treguar nderimin edhe të tyre edhe të shteteve të tyre për presidentin tonë historik”, tha ndër të tjera Osmani.