Me a pa rritje? Në pritje të faturave të reja të rrymës
Faturat e rrymës në Kosovë mund të shtrenjtohen… edhe këtë vit.
Mundësia tanimë i ka shqetësuar disa qytetarë.
“Çdo ngritje e çmimit të shërbimeve do të nënkuptonte më pak produkte ushqimore, sepse ato të luksit i kemi harruar”, thotë Bashkim Misini, punonjës në sektorin privat, për Radion Evropa e Lirë.
“Katastrofë për ata që nuk kanë. Paratë e pensionit nuk po mjaftojnë as për ushqime, e lëre më për rrymë e mbeturina”, thotë pensionistja Mihane Berisha.
Tash për tash, vetëm Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka propozuar rritjen e çmimit të energjisë së prodhuar.
Për tarifat që duhet t’i paguajnë qytetarët vendos Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) deri më 1 prill, por njohësit e fushës thonë se nëse rritet çmimi i energjisë së prodhuar, mund të rriten edhe këto tarifa.
Çka kërkoi KEK-u?
KEK-u konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ka propozuar rritjen e çmimit të energjisë së prodhuar.
Dy termocentralet e kësaj korporate, Kosova A dhe Kosova B, prodhojnë sasinë më të madhe të energjisë, të nevojshme për plotësimin e nevojave në vend.
Kjo energji më pas i shitet KESCO-s, kompanisë përgjegjëse për furnizim dhe inkasim.
Në deklaratën me shkrim dhënë REL-it, KEK-u tha se marrëveshja e fundit mes tij dhe KESCO-s ka qenë e lidhur për periudhën “1 prill 2023 deri më 31 mars 2024”.
KEK-u tha se kërkesa është që çmimi të rritet nga 29.50 euro sa kushton aktualisht një megavat në orë, në 31.50 euro.
KEK-u tha se nuk ka informata nëse propozimi i tij është miratuar.
Radio Evropa e Lirë e kontaktoi KESCO-n, por nuk mori përgjigje.
KEK-u, po ashtu, nuk tregoi se përse ka kërkuar rritjen e çmimit. Por, në komentet që ia ka dërguar ZRRE-së e që i ka parë Radio Evropa e Lirë, korporata thirret në rritjen e kostos së prodhimit dhe të inflacionit.
Për këtë thuhet se ka inkurajuar ZRRE-në që në të hyrat e KESCO-s të përfshihet edhe kostoja e blerjes së energjisë nga KEK-u.
ZRRE-ja nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se a do të ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike, por tha se është “në proces të analizimit dhe shqyrtimit të komenteve të dërguara nga palët e interesuara”.
ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave, të cilat shpallen çdo 1 prill.
Vitin e kaluar, tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.
Për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovate në orë brenda një muaji, çmimi gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovate, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.
Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovate dhe 6.81 centë për atë që shpenzojnë më shumë.
Çka thonë ekspertët?
Fadil Ismaili, ish-ministër i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, thotë se rritja e çmimit të energjisë së prodhuar elektrike mund të pasohet me shtrenjtimin e rrymës që paguajnë qytetarët.
Megjithatë, ai thotë se kërkesa e KEK-ut është e justifikueshme.
“Energjia elektrike është një mall sikurse çdo mall tjetër. Në një kilovat të prodhimit të energjisë elektrike, nevojitet shpenzim i naftës, thëngjillit, mirëmbajtje… Kështu, edhe çmimi i energjisë elektrike mund t’i nënshtrohet ngritjes së çmimeve të produkteve dhe shërbimeve të tjera”, thotë Ismaili për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se, nëse kjo ndodh, efekti zinxhiror do të jetë i pashmangshëm, pasi “çdo ndryshim i tarifave të rrymës ndikon edhe në koston e biznesit, sidomos tek industria prodhuese, duke i rritur çmimet e artikujve tjerë”.
Skender Krasniqi, kryetar i Bordit Drejtues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Prishtinë, e justifikon po ashtu kërkesën e KEK-ut, por thotë se ZRRE-ja nuk duhet të lejojë që ajo të reflektohet në faturat e qytetarëve.
Nëse rritet çmimi i rrymës, thotë ai, disa biznese prodhuese edhe mund të mbyllen dhe kompanitë tjera, pastaj, i rrisin çmimet.
“Nëse kjo ndodh, nevojitet mbështetje financiare nga Qeveria për bizneset… sepse kjo do të ishte e papërballueshme për disa”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.
Çmimet e energjisë, gjetiu në botë, kanë nisur të marrin hov në fillim të vitit 2022, kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës dhe inflacioni ka nisur, po ashtu, të rritet me shpejtësi.
Për rrjedhojë, Qeveria e Kosovës ka ndarë në disa raste subvencione. Në një periudhë, ajo i ka subvencionuar konsumatorët që kanë kursyer së paku 5 për qind të rrymës në muaj, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak. Këta konsumatorë kanë përfituar dyfishin e përqindjes së kursyer.
Shtrenjtohen edhe faturat e mbeturinave
Pas tetë vjetësh, ndryshime në shkurt të këtij viti pësuan edhe faturat e mbeturinave.
Zyrtarë të Kompanisë Rajonale Pastrimi konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se për klientët e amvisërisë, faturat u rritën nga 4.70 në 6.20 euro. Kurse, për bizneset e vogla dhe të mesme, faturat u shtrenjtuan për 2, respektivisht 3 euro.
Kompania Pastrimi, përveç në komunën e Prishtinës, operon edhe në komunën e Fushë Kosovës, atë të Obiliqit, Lipjanit, Drenasit dhe Podujevës.
Zëdhënësja Arbnora Ademi thotë për Radion Evropa e Lirë se nga inflacioni i viteve të fundit është atakuar edhe kompania Pastrimi, duke përmendur shtrenjtimin e derivateve të naftës dhe makinerive të ndryshme për grumbullimin dhe deponimin e mbeturinave.
“Gjithçka është shtrenjtuar. Tmerr, tmerr…”, thotë pensionistja Mihane Berisha, e cila jeton me bashkëshortin në Prishtinë dhe të dy marrin 200 euro në muaj pensione.REL