MD: Mbi 32 milionë euro janë paguar për mbrojtjen juridike të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

24.07.2025

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar opinionin publik se që nga fillimi i procesit gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, janë realizuar pagesa të rregullta dhe në përputhje me marrëveshjet dhe obligimet paraprake, me qëllim të përkrahjes së mbrojtjes juridike të të akuzuarve.

Sipas njoftimit zyrtar, deri më datë 24 korrik 2025, janë shpenzuar gjithsej 32,944,287.77 euro për këtë qëllim.

Brenda kësaj shume, 5,353,301.02 euro janë paguar për mbrojtjen e z. Hashim Thaçi, si pjesë e mbështetjes institucionale të ofruar për të gjithë të akuzuarit në kuadër të këtij procesi.

Ministria thekson se pagesat janë kryer në mënyrë të rregullt dhe transparente, dhe do të vazhdojnë në përputhje me dispozitat ligjore dhe marrëveshjet në fuqi.

Në njoftim thuhet se Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar për të garantuar një proces të drejtë dhe të balancuar, duke siguruar përkrahje juridike në përputhje me parimet e drejtësisë dhe të të drejtave të njeriut.