Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së pritet të nisë paraqitjen e provave më 15 shtator
Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë njoftuar se data e synuar për fillimin e paraqitjes së provave nga ana e mbrojtjes së ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është 15 shtatori 2025.
Kjo datë pritet të konfirmohet zyrtarisht gjatë konferencës përgatitore më 19 gusht 2025.
Sipas të dhënave të fundit, vetëm mbrojtja e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit ka njoftuar se do të paraqesë prova. Nga ana tjetër, mbrojtja e Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit ka deklaruar se nuk do të paraqesë prova në këtë fazë të procesit.
Mbrojtja e Thaçit ka kundërshtuar urdhëresën që e detyronte të paraqiste çështjen e saj më 25 gusht 2025, duke e quajtur një vendim të njëanshëm që i reduktonte kohën për përgatitje. Po ashtu, është theksuar se do të ishte e pamundur për të përmbushur afatet e përcaktuara për dorëzimin e materialeve që kërkojnë autorizim sipas Rregullës 107. Edhe mbrojtja e Krasniqit ka shprehur pamundësinë për të nisur çështjen e saj në javën e 25 gushtit.
Prokuroria ka mirëpritur shtyrjen e afatit, duke theksuar se kjo do t’i ndihmojë edhe ata në përgatitjen për kundërargumentet ndaj mbrojtjes. Ndërkohë, përfaqësuesi i viktimave nuk ka paraqitur kundërshtime.
Trupi gjykues ka theksuar se mbrojtja e Thaçit kishte njoftuar që në tetor të vitit 2022 se do të ftonte gjashtë dëshmitarë kyç, nga gjithsej 12 që janë në listën e saj. Megjithatë, për disa prej tyre ishte e nevojshme të merrej autorizim sipas Rregullës 107, çështje që, sipas trupit gjykues, është dashur të adresohej më herët.
Pavarësisht kritikave, për të mundësuar marrjen e autorizimeve dhe në mungesë të kundërshtimeve, trupi gjykues vendosi që data e synuar për paraqitjen e mbrojtjes të jetë 15 shtatori 2025.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka përfunduar paraqitjen e provave të saj. Pas kësaj, mbrojtja kishte paraqitur një kërkesë sipas Rregullës 130, për të rrëzuar disa akuza që lidhen me ngjarje jashtë periudhës së aktakuzës (para majit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999). Por, kjo kërkesë është refuzuar më 16 korrik 2025 nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, duke theksuar se ato ngjarje nuk përbëjnë akuza sipas Rregullës 130.
Po atë ditë, përfaqësuesit e viktimave kanë paraqitur provat e tyre, përfshirë dëshminë e dy eksperteve, e cila përfundoi më 17 korrik 2025.